Ambasada e Shqipërisë në Ukrainë pati kënaqësinë të përfaqësojë kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare në këtë aktivitet të rëndësishëm, duke sjellë para vizitorëve elementë të veçantë të artizanatit tonë kombëtar dhe produkte tradicionale shqiptare, të cilat u pritën me interes dhe vlerësim të veçantë.
Pjesëmarrja në “CHARITY FAIR 2025” përbën një mundësi të çmuar për të forcuar më tej miqësinë shqiptaro-ukrainase dhe për të kontribuar së bashku në nisma humanitare me ndikim pozitiv në komunitet.
Me nismën e znj. Tetjana Sybiha, bashkëshortja e Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe Kryetare e Shoqatës së Bashkëshorteve të Diplomatëve të Ukrainës, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, në VDNH u organizua Panairi Vjetor Bamirës i Krishtlindjeve “CHARITY FAIR 2025”
Ky aktivitet i rëndësishëm, i cili prej vitit 2023 bashkon komunitetin diplomatik dhe miqtë e Ukrainës, synon mbështetjen e projekteve bamirëse me ndikim të gjerë shoqëror. Gjatë panairit, përfaqësitë diplomatike të 29 shteteve prezantuan trashëgiminë e tyre kulturore dhe traditat kombëtare. Iniciativës iu bashkuan gjithashtu artistë ukrainas, mjeshtër të zanateve tradicionale, prodhues artizanalë, dizajnerë dhe organizata publike.




