Më datë 12 nëntor 2024, në një ceremoni të organizuar nga Protokolli i Shtetit, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, SH.T.Z. Ernal Filo, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit të Ukrainës, SH.T.Z. Volodymyr Zelensky.
Gjatë takimit të kortezisë pas ceremonisë, Presidenti Zelensky, i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën Ambasadorit Filo, duke shprehur edhe kënaqësinë e tij për vendimin e qeverisë shqiptare për të hapur Ambasadën në Kiev, si një shenjë e solidaritetit dhe përkrahjes që populli shqiptar po i jep Ukrainës dhe popullit të saj në këto kohë të vështira. Ai falënderoi angazhimin e Shqipërisë, dhe veçanërisht të Kryeministrit, SH.T.Z. Edi Rama, të cilin e konsideroi një mik të vërtetë, si në aspektin dypalësh ashtu edhe në të gjitha forumet dhe organizmat ndërkombëtare në mbështetje të kauzës së drejtë për të cilën po lufton Ukraina, që nënkupton ruajtjen e integritetit territorial, respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe dënimin e agresionit të paprovokuar dhe pajustifikuar rus kundër Ukrainës.
Në fjalën e tij, Ambasadori Filo i përcolli Presidentit të Ukrainës përshëndetjet e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj, dhe Kryeministrit të vendit, SH.T.Z. Edi Rama, duke u shprehur se “ndihet i privilegjuar që është Ambasadori i parë rezident në këtë vend të mrekullueshëm”. Më tej, ai e garantoi Presidentin Zelensky se politika e jashtme e Shqipërisë do të mbetet e pandryshuar në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke dënuar fuqishëm agresionin e paprovokuar rus kundër një vendi të lirë e demokratik.