Në datën 12 mars 2025, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, z. Ernal Filo, së bashku me Konsullin e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, z. Shahin Omarov zhvilluan një takim me 12 deputetë të Parlamentit të Ukrainës, të gjithë anëtarë të Grupit të Miqësisë Ukrainë-Shqipëri (i kryesuar nga z. Ihor Vasylyev), si dhe disa deputetë të tjerë që punojnë në komisione të tjera. Me një përfaqësim kaq të gjerë, pala ukrainase u përpoq të shprehte respekt dhe mirënjohje ndaj Shqipërisë për mbështetjen tonë në kohë të vështira për ta.
Pala ukrainase shprehu mirënjohjen e thellë për Shqipërinë, popullin shqiptar, qeverinë dhe parlamentin për mbështetjen tonë të vazhdueshme dhe të vendosur të Ukrainës në luftën e saj për pavarësi dhe integritet territorial. Ata theksuan veçanërisht rëndësinë e hapjes së ambasadës sonë gjatë luftës së gjerë. Në përgjigje, Ambasadori Filo rikonfirmoi natyrën e palëkundur të qëndrimit tonë për këtë çështje duke dhe i siguruar ata për ndihmën tonë të vazhdueshme gjithëpërfshirëse.
Gjatë bisedës u konstatua se marrëdhëniet diplomatike dhe politike ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë kanë arritur një nivel të lartë, duke krijuar kushte të favorshme për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në veçanti, zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike ka një potencial të madh rritjeje. Biseda u përqëndrua në tematikat mbi: Sektorin farmaceutik, shkëmbimin shkencor, sektorin e mbrojtjes, ndërveprimin politik, bashkëpunimi midis biszneseve, kryesisht në prodhimet e mishit.
Në përgjithësi, takimi u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore, të ngrohtë dhe konstruktive. Të gjithë pjesëmarrësit shprehën besimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-ukrainase.