Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, z. Ernal Filo, zhvilloi një takim të përzemërt me Ministrin për Politikat Agrare dhe Ushqimin të Ukrainës, z. Vitalii Koval. Në fokus të bisedës ishin mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe tregti ushqimore, në një kohë sfidash të mëdha për Ukrainën.
Ministri Koval shprehu falënderime të sinqerta për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës në përballje me agresionin rus, ndërsa të dyja palët diskutuan:
🔸 Rritjen e tregtisë së mishit, me synimin për njohje të ndërsjellë të certifikatave veterinare dhe certifikimin e ndërmarrjeve ukrainase për eksport drejt Shqipërisë;
🔸 Mundësinë për uljen e doganave për frutat dhe perimet shqiptare, veçanërisht në periudhat jashtë sezonit në Ukrainë;
🔸 Riaktivizimin e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, me një seancë të parë të propozuar për korrikun e vitit 2025.
Pas takimit, Ministri Koval kontaktoi menjëherë Ministren shqiptare të Bujqësisë, znj. Anila Denaj, për të koordinuar hapat konkretë të bashkëpunimit.
Takimi solli një frymë të ndërsjellë besimi dhe vullneti për të çuar përpara projekte të dobishme për të dy vendet, me hapa të parë konkretë që pritet të ndërmerren së shpejti.