Në ditën e fundit të Black Security Forum, Ambasadori, z. Ernal Filo, së bashku me disa kolegë dhe pjesëmarrës në Forum, vizituan qytetin Snihurivka në rajonin e Mykolaiv, pranë vijës së frontit. Udhëtimi u bë nga organizatorët e Forumit.
Snihurivka ishte nën pushtimin rus për tetë muaj gjatë vitit 2022, siç thanë përfaqësuesit e autoriteteve lokale gjatë bisedës sonë me ta. Fatkeqësisht, këto ngjarje çuan në largimin e një numri të konsiderueshëm banorësh nga qyteti drejt pjesëve më të sigurta të vendit. Konkretisht, nga 21,054 banorë në janar 2022, në territorin e Komunës sot kanë mbetur vetëm 14,970 persona.
Ata informuan për pasojat e granatimeve dhe veprimeve luftarake në objektet e infrastrukturës civile: Të shkatërruara: 1915 banesa, 21 institucione arsimore, 19 institucione kulturore, 6 ndërtesa administrative, 6 ura, stacioni i trenit. Sulmet mbi institucionet arsimore kishin rezultuar edhe me vdekjen e dy fëmijëve. Ata ndanë gjithashtu edhe informacione rreth riparimeve të vazhdueshme të ndërtesave të dëmtuara, të kryera me mbështetjen e shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe planet për rindërtimin e mëtejshëm të komunitetit.
Ata gjithashtu theksuan një fakt të rëndësishëm, por shpesh të anashkaluar: se Rusia u përpoq të organizonte një referendum në këtë qytet në vitin 2022, i cili, sipas tyre, ishte pjesë e strategjisë së Rusisë për të aneksuar territoret ukrainase. Megjithatë, vetëm një numër i papërfillshëm banorësh (30 banorë, bashkëpunëtorë të agresorëve rusë) iu përgjigjën thirrjes për këtë referendum të “simuluar”, të cilët, siç shtuan autoritetet e qytetit, u larguan nga qyteti së bashku me ushtrinë ruse në tërheqje pasi Snihurivka u çlirua.
Të shoqëruar prej tyre, pjesëmarrësit vizituam disa vende me ndërtesa të shkatërruara, si dhe disa që janë rindërtuar.
Mesazhi që dhanë drejtuesit e autoriteteve lokale ishte se SHBA duhet ta kuptojë se kush është agresori dhe se SHBA dhe vendet aleate duhet të qëndrojnë me Ukrainën deri në fund. Ata theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare dhe shprehën mirënjohje për të gjitha vendet partnere për ndihmën e tyre deri më tani.