Më 5 qershor 2026, në Ditën Botërore të Mjedisit, UNESCO shpalli 14 rezerva të reja biosfere në mbarë botën, mes të cilave edhe Liqeni i Shkodrës në Shqipëri. Me këtë vendim, zona bëhet pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës, i cili tashmë përfshin 797 site në 145 vende.
Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë dhe një njohje e vlerave të saj të jashtëzakonshme ekologjike, peizazhore dhe socio-kulturore. Përfshirja në këtë rrjet konfirmon rëndësinë e Liqenit të Shkodrës si një hapësirë ku mbrojtja e biodiversitetit ecën krah për krah me zhvillimin e qëndrueshëm dhe me mirëqenien e komuniteteve vendore.
Procesi i nominimit u zhvillua në kuadër të një bashkëpunimi më të gjerë ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, me synimin për forcimin e mbrojtjes së ekosistemit të përbashkët të pellgut të Liqenit të Shkodrës/Skadarit dhe promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të tij, në përputhje me programin Njeriu dhe Biosfera (MAB) të UNESCO-s. Dosja e nominimit u finalizua në kuadër të një projekti të mbështetur nga Bashkimi Evropian, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe partnerëve nga të dy vendet.
Ky zhvillim përbën një arritje të rëndësishme për Shqipërinë, si në planin e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore, ashtu edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ai krijon mundësi të reja për ruajtjen afatgjatë të ekosistemeve, për mbështetjen e veprimtarive ekonomike të qëndrueshme dhe për promovimin ndërkombëtar të Liqenit të Shkodrës si një zonë me vlera të veçanta mjedisore dhe njerëzore.



