Që nga anëtarësimi i saj në UNESCO, në 16 tetor 1958, Shqipëria ka dëshmuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj UNESCO-s duke mbështetur vlerat dhe parimet e saj, objektivat e saj strategjikë përmes një pjesëmarrje aktive dhe të angazhuar në punën e organizatës duke nxitur bashkëpunimin, dialogun, transparencën dhe koherencën.
Si një partner afatgjatë i UNESCO-s, Shqipëria është një mbështetëse e fortë e multilateralizmit efektiv duke ndarë synimet e UNESCO-s për promovimin e paqes dhe sigurisë përmes bashkëpunimit në katër fushat kryesore të Organizatës (Arsim, Shkencë, Kulturë, Informacion).
Si anëtare e UNESCO-s, Shqipëria kërkon të intensifikojë përpjekjet e saj për zbatimin e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm me përpjekje të përbashkëta dhe dialog gjithëpërfshirës. Disa nga prioritetet tona për veprim përfshijnë arsimin cilësor, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke adresuar ndikimet e ndryshimeve klimatike, respektimin e lirive themelore, mbështetjen për diversitetin e shprehjeve kulturore, transformimin dixhital, të mos lëmë askënd pas – pjesëmarrje më e gjerë e grave dhe të rinjve në të katër fushat e veprimtarisë së Organizatës.
Shqipëria është zgjedhur në organe të ndryshme të UNESCO-s: tre herë në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s (në Sesionin e 34rt të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, u zgjodh për herë të dytë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2013-2017. Suksesi i Shqipërisë dhe angazhimi ndaj politikave të UNESCO-s përsëritet në vitin 2017, me një rizgjedhje, për një mandat të dytë, në organin më të lartë vendimmarrës të UNESCO-s, për periudhën 2017-2021) dhe së fundmi, gjatë Sesionit të 42të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, Shqipëria u zgjodh për herë të katërt anëtare e Bordit Ekzekutiv për periudhën 2023-2027.
Shqipëria është zgjedhur një herë si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale gjatë periudhës 2010-2014. Në vitin 2017 Shqipëria u zgjodh anëtare e Komitetit të Konventës së 1970 mbi Trafikimin e Paligjshëm të Pasurive Kulturore dhe Kryetar i Komitetit për periudhën 2017-2018.
Shqipëria është gjithashtu anëtare e Grupit të Bashkuar të Miqve për Trashëgiminë, për barazinë gjinore, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm përmes arsimit dhe sigurisë së gazetarëve.
Pasuritë e Shqipërisë, që njihet dhe mbrohet nga UNESCO
Shqipëria ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe natyrore, që njihet dhe mbrohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Këto pasuri përfshijnë si trashëgiminë kulturore dhe natyrore materiale, ashtu edhe trashëgiminë kulturore jomateriale. Më poshtë paraqitet një përmbledhje e plotë e elementeve të regjistruara në listat përkatëse të Konventave Kulturore të UNESCO-s:
1. Trashëgimia Kulturore Materiale
Shqipëria ka regjistruar katër pasuri në Listën e Trashëgimisë Botërore (krijuar në kuadër të Konventës së vitit 1972 për «Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore», ratifikuar ne 1989), si më poshtë, në rend kronologjik:
1. Butrinti (1992), regjistruar si pasuri kulturore.
2. Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës (2005, zgjeruar në 2008), regjistruar si pasuri kulturore.
3. Pyjet e lashta dhe parësore të ahut në Karpate dhe rajone të tjera të Evropës (2017), regjistruar si pasuri natyrore dhe transnacionale, së bashku me 18 vende evropiane.
4. Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit (2019), ku pjesa shqiptare është regjistruar si pasuri e përzier kulturore dhe natyrore, ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut.
1. Trashëgimia Kulturore Jomateriale
Në kuadër të zbatimit të Konventës së vitit 2003 për «Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale», ratifikuar në 2006, Shqipëria ka regjistruar katër elemente në dy listat e krijuara nga Konventa.
Në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit janë përfshirë:
1. Iso-polifonia popullore shqiptare (2008) ;
2. Transhumanca: shtegtimi sezonal i bagëtive (2023), element transnacional, i regjistruar së bashku me 9 vende të tjera (Andora, Austria, Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Luksemburgu, Rumania, Spanja) ;
3. Kërcimi i Tropojës (2024).
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që Kërkon Mbrojtje Urgjente është regjistruar:
4. Xhubleta: aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit (2022).
Këto elemente pasqyrojnë diversitetin dhe pasurinë e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale shqiptare, duke kontribuar në identitetin kombëtar dhe duke ofruar një vlerë të çmuar për trashëgiminë botërore.
Programi i UNESCO-s “Kujtesa e Botes”
Programi “Kujtesa e Botës” synon të ruajë trashëgiminë dokumentare të njerëzimit dhe ta bëjë atë të aksesueshme për të gjithë, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e saj kulturore për mbarë njerëzimin. Në Regjistrin Ndërkombëtar të këtij programi, Shqipëria ka regjistruar në vitin 2005 “Kodikët e Purpurt të Beratit”, duke e mbrojtur kështu atë si një pasuri të çmuar për mbarë njerëzimin.