Lugina e Vjosës, një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, është shpallur zyrtarisht Rezervë Biosfere e UNESCO, duke shënuar një moment historik për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri dhe në nivel evropian.
Vendimi u mor gjatë Sesionit të Këshillit Ndërkombëtar Koordinues të Programit “Njeriu dhe Biosfera” (MAB), të mbajtur në Paris, ku u vlerësua rëndësia e jashtëzakonshme ekologjike, shkencore dhe kulturore e Luginës së Vjosës.
Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj në Evropë që rrjedh lirshëm, pa diga përgjatë gjithë gjatësisë së saj, dhe përfaqëson një ekosistem unik me biodiversitet të pasur dhe specie të rralla.
Shpallja si Rezervë Biosfere e UNESCO-s e njeh Vjosën si një laborator të gjallë për zhvillimin e qëndrueshëm, ku mbrojtja e natyrës, kërkimi shkencor dhe mirëqenia e komuniteteve lokale ecin paralelisht.
Ky status përforcon angazhimin e Shqipërisë për ruajtjen afatgjatë të pasurive natyrore, përfshirjen e komuniteteve lokale dhe promovimin e një modeli zhvillimi që respekton mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.
Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervë Biosfere është fryt i një bashkëpunimi të gjerë ndërmjet institucioneve shtetërore, shkencëtarëve, organizatave mjedisore dhe komuniteteve lokale, duke e kthyer Vjosën në një simbol evropian të mbrojtjes së lumenjve të egër.



