Më 15 nëntor, gjatë sesionit të 42-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për një mandat katërvjeçar (2023-2027). Bordi Ekzekutiv është organi më i lartë vendimmarrës i UNESCO-s, i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të programit dhe buxhetit, për të përmbushur misionin fisnik të organizatës: ndërtimin e një kulture paqeje, çrrënjosjen e varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe nxitjen e dialogut ndërkulturor përmes arsimit, shkencës, kulturës, komunikimit dhe informacionit.
Falënderojmë të gjitha shtetet anëtare që me votën e tyre na besuan këtë përgjegjësi të rëndësishme. Shqipëria pret të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë anëtarët e Bordit, në frymën e dialogut dhe konsensusit.
Në një botë të përballur me kriza të shumta, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për të investuar në paqe. UNESCO, përmes funksionit të saj multilateralist, mbetet një nga instrumentet më të fuqishme për këtë qëllim, dhe roli i saj është më i domosdoshëm se kurrë.
Shqipëria mbështet UNESCO-n me bindjen e fortë se ajo që na bashkon është më e fuqishme se ajo që na ndan.
Newsroom
Shqipëria zgjidhet anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për një mandat katërvjeçar (2023-2027)