Të dhëna shkurt mbi Mbretërinë e Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe e Irlandës së Veriut, e njohur ndryshe si Mbretëria e Bashkuar, është monarki kushtetuese, bazuar në demokracinë parlamentare. Ajo përbëhet nga katër pjesë, Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut.
Kryetare e Shtetit është Mbretëresha Elizabeth e II e cila qëndron në këtë pozicion që prej vitit 1952.
Mbretëria e Bashkuar ka një sipërfaqe prej 242.495 kilometra katrore dhe një popullsi prej 66.6 milionë banorë. Kryeqyteti i vendit është Londra me një popullsi prej 10.3 milionë banorë. Qytete të tjerë të rëndësishëm të vendit janë Mançesteri, Liverpuli, Glasgou, Lidsi, Birmingami etj.
Parlamenti britanik përbëhet nga dy dhoma, Dhoma e Lordëve (House of Lords) me rreth 800 anëtarë dhe Dhoma e Ulët me 650 anëtarë. Kryeministri i vendit zgjidhet kryetari i partisë apo drejtuesi i koalicionit të partive të cilat përbëjnë shumicën në parlament (Dhomën e Ulët). Kryeministri zgjedh anëtarët e kabinetit të tij, të cilët formalisht emërohen nga Mbretëresha.
Mbretëria e Bashkuar është një fuqi e madhe globale. Ajo konsiderohet si ekonomia e pestë në botë, referuar GDP.
Mbretëria e Bashkuar është Anëtare e Përhershme e Këshillit të Sigurimit që prej sesionit të parë në 1946, është anëtare e BE, por bazuar në rezultatet e Referendumit të qershorit 2016 MB do të lerë këtë organizatë brenda marsit 2019. MB është një ndër anëtarët më aktivë të NATO-s, gjithashtu anëtare e Vendeve të Komonuellthit, G7,G20, OECD, WTO etj.
Përmbledhje
Me ndryshimet e fillimit të viteve 90 në Europën Lindore dhe veçanërisht me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, Britania e Madhe ka rritur dukshëm rolin dhe angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Së bashku me SHBA-në dhe vendet e tjera evropiane, MB ka një kontribut të veçantë në drejtim të paqes e stabilitetit të rajonit të BP.
Britania e Madhe ka qenë një ndër vendet e para që ka kontribuar në drejtim të vendosjes së shtetit ligjor, respektimit të të drejtave të njeriut dhe vendosjes së rregullave të qarta të ekonomisë së tregut në Shqipërinë e pas ‘90. Qartësisht e vendosur në mbështetje të përmbushjes së aspiratës për integrimin euroatlantik të vendit në NATO dhe BE, MB mbetet një ndër aleatët e veçantë në këtë drejtim.
Samiti i Londrës në korrik 2018, është një tjetër tregues i rolit dhe vëmendjes që BM i kushton rajonit të BP. Ky Samit konfirmoi edhe njëherë angazhimin e BM në drejtim të rritjes së prezencës politike, ekonomike, diplomatike dhe në çështjet e sigurisë në vendet e BP. Ai ishte një provë e asaj që Kryeministrja May ka përsëritur në disa raste se “. . . me daljen nga BE Britania e Madhe nuk lë Evropën”, përkundrazi qasja e saj ndaj Evropës dhe veçanërisht ndaj Ballkanit Perëndimor do të marri një dimension të ri.
Marrëdhëniet dypalëshe.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë vendosur në 9 nëntor 1921. Qeveria Britanike njohu edhe qeverinë shqiptare të dalë pas 29 nëntorit 1944, por misioni britanik u largua në prill të vitit 1946 për shkak të kufizimeve, që qeveria shqiptare e kohës, vendosi lidhur me lëvizjen e anëtarëve të këtij misioni. Incidenti i Kanalit të Korfuzit, në maj të viti 1946, shënon dhe ndërprerjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve.
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u rivendosën më 29 maj 1991 nëpërmjet një komunikate të përbashkët të të dyja palëve.
Britania e Madhe në mënyrë konstante ka mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Nëpërmjet programeve të shumta të bashkëpunimit ajo ka një kontribut të veçantë në drejtim të forcimit të sigurisë dhe të shtetit ligjor në vend, kualifikimit të të rinjve shqiptarë në universitetet prestigjoze britanike, si dhe në shkollat e larta ushtarake britanike.
Shkëmbimi i vizitave të niveleve më të larta, funksionimi i shkëlqyer i diplomacisë parlamentare (Grupi i Miqve të Shqipërisë ishte një ndër grupet e para të miqësisë të krijuara në parlamentin britanik pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017), stërvitjet e përvitshme midis forcave të armatosura shqiptare dhe atyre britanike janë tregues të qartë të një marrëdhënie solide bashkëpunimi bazuar në parimet e përgjithshme që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve dhe orientimit euroatlantik të të dy vendeve.
Tregtia dhe investimet
Në fushën e bashkëpunimit ekonomik Britania e Madhe mbetet një partner modest. Pavarësisht prezencës në vendin tonë të gjigandëve britanik si Vodafon, BP apo dhe të kompanive të mirënjohura ndërkombëtarisht të konsulencës ligjore e financiare, përsëri niveli i shkëmbimeve tregtare është në një nivel të ulët. Referuar raportit të miratuar nga Dhoma e Lordëve të Parlamentit Britanik në prill të vitit 2018, niveli i shkëmbimeve (import–eksport) midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Britanisë së Madhe për vitin 2017 ishte 1.045 miliardë paund eksporte dhe 316 milionë paund importe. Ndërsa me Shqipërinë totali i shkëmbimeve për vitin 2017 është 28 milionë paund nga të cilat 24 milionë paund eksporte dhe 4 milionë paund importe. Me punën e bërë në drejtim të prezantimit të ofertës ekonomike shqiptare në fushën e turizmit, mineraleve, industrisë së naftës, gazit, asaj metalurgjike, energjisë së rinovueshme etj. ky trend do të ndryshojë. Këtij qëllimi i kanë shërbyer jo vetëm kontaktet e drejtpërdrejta me përfaqësues të kompanive të mirënjohura britanike, por edhe forumet e biznesit të organizuar me synimin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshjet dypalëshe
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë lidhur marrëveshjet e mëposhtme dypalëshe:
1. Marrëveshja e ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, nënshkruar më 22.07.1926;
2. Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, nënshkruar më 08.05.1992, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit;
3. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për transportin rrugor ndërkombëtar, nënshkruar më 09.02.1993;
4. Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, nënshkruar më 22.10.1993, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit;
5. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut mbi bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës, nënshkruar më 30.03.1994, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit;
6. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, nënshkruar më 30.03.1994, hyrë në fuqi 30.08.1995;
7. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për shërbimin ajror, nënshkruar më 30.03.1994, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit;
8. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në fushën e mbrojtjes së turizmit, nënshkruar më 30.03.1994;
9. Kontrata e shkëmbimit për pronësinë me Ambasadën Britanike, nënshkruar më 19.05.1997;
10. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për ripranimin e personave, nënshkruar më 14.10.2003, hyrë në fuqi më 16.08.2005;
11. Protokolli i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për ripranimin e personave, nënshkruar më 14.10.2003, hyrë në fuqi më 16.08.2005;
12. Memorandum i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës të Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë të Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për drejtimin e stërvitjeve ushtarake e të trajnimeve dhe për dispozitat e mbështetjes së vendit pritës, nënshkruar më 2003.
13. Memorandum i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe në lidhje me bashkëpunimin hartografik, vëzhgimin dhe shkëmbimin e materialeve gjeografike, nënshkruar më 2005;
14. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë të Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar, nënshkruar më 15.01.2013, hyrë në fuqi më 11.6.2013;
15. Memorandumi i Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për shkëmbimin e informacionit për migracionin, nënshkruar më 13.3.2013, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
16. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë të Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, nënshkruar më 26.03.2014, hyrë në fuqi më 2014.
17. Marrëveshje zbatimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Sekretarit të shtetit për mbrojtjen e UTKGBNI referuar “Exercise Albanian Lion and Exercise Dragon Hammer 2014”, nënshkruar më 5.9.2014, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
18. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme e përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, për intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe rritjen e identifikimit, njoftimit, referimit dhe kthimin vullnetar të asistuar të viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore, nënshkruar më 4.12.2014.
19. Marrëveshje ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë si plotësuese e Konventës Evropiane mbi Ekstradimin 1957, nënshkruar në Tiranë, më 5.4.2017, hyrë në fuqi data 19.7.2018.
20. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë dhe Doganave të Tatimeve të Madhërisë së saj të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, nënshkruar në 28.2.2018, hyrë në fuqi më 19.7.2018.
Në kuadër të BREXIT janë në proces marrëveshjet e mëposhtme:
1. Projektmarrëveshja për partneritetin, tregtinë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë kur MB të dalë nga BE
2. Projektmarrëveshja për shërbimin ajror