Shkëlqesi,
Të nderuar Koordinatorë Rezidentë,
Në një kohë kur kërkesat janë në rritje dhe burimet financiare gjithnjë e më të kufizuara, sistemi i Koordinatorëve Rezidentë mbetet i domosdoshëm për të garantuar që Organizata e Kombeve të Bashkuara të ofrojë rezultate koherente, efektive dhe konkrete në nivel kombëtar.
Përvoja jonë nxjerr në pah tri mësime të rëndësishme.
Së pari, procesi i rikalibrimit duhet të udhëhiqet nga nevojat e vendeve dhe të mbështetet në pronësinë kombëtare.
Kuadri i ri i Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Shqipëri për periudhën 2027–2031 dëshmon rëndësinë e pronësisë së fortë kombëtare dhe të koordinimit strategjik. I hartuar përmes konsultimeve me mbi 600 aktorë të interesuar, ky kuadër bashkon 20 entitete të OKB-së rreth tri prioriteteve kombëtare: zhvillimit të kapitalit njerëzor; transformimit të qëndrueshëm ekonomik; si dhe qeverisjes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.
Ky kuadër ka reduktuar numrin e rezultateve të synuara nga katër në tre dhe numrin e produkteve nga 22 në 11, duke harmonizuar njëkohësisht programet e agjencive të OKB-së brenda një kuadri të vetëm, të dakordësuar bashkërisht.
Kjo dëshmon se një udhëheqje e fortë nga ana e Koordinatorit Rezident mund të reduktojë fragmentimin dhe t’u mundësojë qeverive të bashkëpunojnë me OKB-në si një partner i unifikuar për zhvillimin.
Dëshirojmë të falënderojmë Koordinatoren Rezidente të OKB-së në Shqipëri, znj. Ingrid Macdonald, për udhëheqjen e saj dhe partneritetin e ngushtë me Qeverinë Shqiptare.
Së dyti, duhet të ruajmë ekspertizën dhe kapacitetet e nevojshme për të garantuar rezultate konkrete.
Angazhimi i Shqipërisë për një kontribut fillestar prej 6 milionë dollarësh amerikanë në Fondin për Përshpejtimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG Acceleration Fund) përbën një shprehje konkrete të besimit në sistemin e Koordinatorëve Rezidentë dhe në aftësinë e tij për të mobilizuar mbështetjen e integruar të OKB-së në funksion të prioriteteve kombëtare.
Ky investim dëshmon se një sistem i mirëkoordinuar i OKB-së mund të mobilizojë jo vetëm ekspertizë, por edhe burime kombëtare dhe partneritete, me qëllim përshpejtimin e arritjes së rezultateve.
Së treti, OKB-ja duhet t’u përshtatet nevojave në zhvillim të vendeve me të ardhura të mesme.
Si një vend me të ardhura të mesme të larta, që po përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka gjithnjë e më shumë nevojë për ekspertizë teknike të specializuar, këshillim të integruar për politikat publike dhe mbështetje për reforma komplekse institucionale, në vend të zbatimit të projekteve të fragmentuara.
Platforma jonë e propozuar për Përshpejtimin e Zhvillimit të Kapitalit Njerëzor, e mbështetur në punën e përbashkët analitike të Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore, ilustron rëndësinë e bashkimit të ekspertizës, financimit dhe kapaciteteve institucionale për adresimin e sfidave strukturore kombëtare.
Shkëlqesi,
Procesi i rikalibrimit nuk duhet të udhëhiqet vetëm nga klasifikimet e vendeve sipas nivelit të të ardhurave apo nga reduktimi i personelit. Ai duhet të mbështetet në nevojat reale të vendeve, në të dhëna dhe evidenca konkrete, si dhe në rezultate të matshme zhvillimore, duke ruajtur njëkohësisht ekspertizën përmbajtësore, vazhdimësinë institucionale dhe kapacitetin për të bashkërenduar të gjithë sistemin e OKB-së.
Për këtë arsye, Shqipëria inkurajon zhvillimin e konsultimeve transparente dhe gjithëpërfshirëse me Shtetet Anëtare, sigurimin e një financimi të parashikueshëm për sistemin e Koordinatorëve Rezidentë, si dhe ndërmarrjen e reformave që forcojnë, dhe jo dobësojnë, autoritetin dhe efektivitetin e tij.
Në fund të fundit, një reformë e suksesshme në kuadër të iniciativës UN80 duhet të sigurojë një Organizatë të Kombeve të Bashkuara më koherente, më të përgjegjshme ndaj nevojave të vendeve dhe më të aftë për të mbështetur prioritetet kombëtare dhe zhvillimin transformues.
Ju faleminderit.


