Faleminderit, z. President,
Më lejoni të filloj duke shprehur vlerësimin tonë për prezantimet e përqendruara dhe informuese të mbajtura nga referuesit e nderuar.
Shqipëria mbështet Iniciativën UN80 si një përpjekje praktike për ta bërë Kombet e Bashkuara më efikase, më të koordinuar dhe më të orientuar drejt rezultateve konkrete. Ne inkurajojmë që ky proces të mbetet i fokusuar në përmirësime konkrete në mënyrën se si OKB-ja operon në terren.
Sa i përket vlerësimit të bashkimit UN Women–UNFPA, si një nga nënkryetarët e Bordit Ekzekutiv të UN Women, Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë këtij procesi. Ky bashkim duhet të forcojë, dhe jo të dobësojë, mandatin për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Do të jetë thelbësore të sigurohen struktura të qarta qeverisëse, llogaridhënie e fortë dhe mbikëqyrje e vazhdueshme nga Bordi Ekzekutiv.
Sa i përket teknologjisë, Shqipëria sheh një potencial të madh që OKB-ja të shfrytëzojë më mirë platformat dhe partneritetet ekzistuese, në vend që të krijojë struktura paralele. Nga përvoja jonë, në rolin si bashkë-lehtësues të procesit WSIS+20 process, theksojmë rëndësinë e promovimit të transformimit digjital gjithëpërfshirës, forcimit të bashkëpunimit digjital dhe mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve. Ne besojmë se këto përpjekje mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në objektivat e UN80 duke përmirësuar koherencën dhe ndikimin në të gjithë sistemin në fushën digjitale. Inkurajojmë një përafrim më të ngushtë ndërmjet ndjekjes së WSIS dhe punës së UN80 në fushën e teknologjisë.
Ne gjithashtu shohim vlerë në thjeshtimin e mekanizmave të raportimit, përfshirë kalimin drejt cikleve raportuese më të përqendruara dhe potencialisht dyvjeçare, me theks më të madh te ndikimi sesa te procesi.
Sa i përket të dhënave, Shqipëria mbështet hapa praktikë për të përmirësuar shkëmbimin e të dhënave dhe ndërveprueshmërinë në të gjithë sistemin e OKB-së, ndërkohë që forcimi i kapaciteteve statistikore kombëtare dhe reduktimi i barrës së raportimit duhet të jenë gjithashtu prioritete kyçe.
Në përfundim, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj një procesi UN80 të fokusuar dhe pragmatik që sjell përmirësime të matshme në efikasitet, koherencë dhe rezultate.
Ju faleminderit.


