Zoti Kryetar,
Më lejoni t’Ju përgëzoj për zgjedhjen Tuaj, si dhe anëtarët e Byrosë, dhe t’Ju uroj suksese në drejtimin e punimeve tona.
Shqipëria i bashkohet deklaratës së mbajtur nga Bashkimi Evropian dhe dëshiron të paraqesë disa qëndrime shtesë në cilësinë e saj kombëtare.
Ne mblidhemi në një kohë kur paqja dhe siguria ndërkombëtare po përballen me sfida të thella. Konfliktet po shumëfishohen, shpesh të shoqëruara me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Tensionet gjeopolitike po rriten, kapacitetet ushtarake po zgjerohen dhe besimi ndërmjet shteteve po dobësohet. Institucionet dhe rregullat shumëpalëshe, të krijuara për të ruajtur paqen, po përballen me presione gjithnjë e më të mëdha.
Shqipëria mbetet fuqimisht e angazhuar ndaj multilateralizmit, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe së drejtës ndërkombëtare. Ne duhet të ruajmë dhe të zbatojmë kuadrin ekzistues të çarmatimit, kontrollit të armëve dhe mospërhapjes së tyre, duke e përshtatur njëkohësisht me sfidat e reja dhe ato në zhvillim në fushën e sigurisë. Rivendosja e besimit, forcimi i dialogut dhe shndërrimi i angazhimeve tona në veprime konkrete duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve tona.
Zoti Kryetar,
Lufta e vazhdueshme e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës mbetet një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Shqipëria dënon këtë agresion, si dhe retorikën dhe kërcënimet e papërgjegjshme bërthamore të Rusisë. Pushtimi i Centralit Bërthamor të Zaporizhias vijon gjithashtu të paraqesë rreziqe serioze për sigurinë bërthamore në Evropë dhe më gjerë.
Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, dhe mbështet përpjekjet e mirëfillta diplomatike për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Jemi po aq të shqetësuar nga përshkallëzimi më i gjerë rajonal në Lindjen e Mesme, i cili mbart gjithashtu rreziqe serioze për mospërhapjen e armëve bërthamore. Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore dhe duhet të përmbushë plotësisht detyrimet e tij në kuadër të masave të garancisë, si dhe të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Ne mbështesim përpjekjet diplomatike për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të verifikueshme të shqetësimeve që lidhen me programin bërthamor të Iranit.
Republika Popullore Demokratike e Koresë duhet gjithashtu të heqë dorë nga programet e saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit.
Zoti Kryetar,
Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) mbetet themeli i regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore dhe një kuadër thelbësor për avancimin e çarmatimit bërthamor. Megjithëse shprehim keqardhjen për mungesën e konsensusit në Konferencën e Rishikimit të vitit 2026, kjo nuk e zbeh rëndësinë e Traktatit dhe as detyrimet e shteteve palë në të. Përparimi në zbatimin e Nenit VI mbetet thelbësor.
Në tridhjetëvjetorin e Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore (CTBT), Shqipëria bën thirrje për universalizimin dhe hyrjen e tij në fuqi, veçanërisht përmes ratifikimit nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap. Ne mbështesim gjithashtu fillimin sa më të shpejtë dhe përfundimin e negociatave për një Traktat mbi Ndalimin e Prodhimit të Materialeve të Copëtueshme për Armët Bërthamore (FMCT).
Shqipëria riafirmon mbështetjen e saj për Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe Konventën për Ndalimin e Armëve Biologjike dhe Toksinike, si dhe për përpjekjet që synojnë parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë te aktorët joshtetërorë. Ne mbështesim gjithashtu Traktatin për Tregtinë e Armëve dhe përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar trafikimin e paligjshëm dhe devijimin e armëve të vogla dhe të lehta.
Zoti Kryetar,
Teknologjitë e reja po transformojnë me shpejtësi mjedisin e sigurisë. Shqipëria mbështet vazhdimin e punës në kuadër të Konventës për Disa Armë Konvencionale, për adresimin e sistemeve të armëve autonome vdekjeprurëse dhe për zhvillimin e qasjeve të përgjegjshme ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale në aplikimet ushtarake.
Ne duhet të sigurohemi që inovacioni teknologjik të mos ecë më shpejt sesa aftësia jonë për të menaxhuar rreziqet që ai sjell, dhe që përgjegjësia njerëzore dhe e drejta ndërkombëtare të mbeten në qendër të këtyre përpjekjeve. Mbështesim gjithashtu ruajtjen e hapësirës së jashtme si një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm për përdorim afatgjatë, në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.
Siguria kibernetike përbën një komponent gjithnjë e më të rëndësishëm të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shqipëria është përballur me sulme serioze kibernetike ndaj infrastrukturës qeveritare dhe shërbimeve publike, ndaj i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të këtij viti, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sh.T.Z. Ferit Hoxha, nënshkroi, në emër të Shqipërisë, Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik.
Ky hap pasqyron angazhimin e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik dhe mbrojtjen e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike nga një mjedis kërcënimesh gjithnjë e më kompleks.
Ne vazhdojmë të përballemi me veprimtari keqdashëse kibernetike të sofistikuara dhe të vazhdueshme, përfshirë operacione të lidhura me grupet e kërcënimeve të avancuara të vazhdueshme (Advanced Persistent Threat – APT) dhe aktorë të mbështetur nga shtete të caktuara. Këto veprimtari po prekin gjithnjë e më shumë institucionet qeveritare, infrastrukturën kritike, shërbimet thelbësore dhe vetë qytetarët.
Shqipëria mirëpret Mekanizmin Global për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe mbështet përpjekjet për të avancuar sjelljen e përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike. Ngritja e kapaciteteve duhet të mbetet në qendër të këtyre përpjekjeve, duke u mundësuar shteteve të forcojnë kapacitetet e tyre teknike, institucionale dhe njerëzore për parandalimin dhe përballimin e kërcënimeve kibernetike.
Së fundi, Shqipëria mbetet e angazhuar për pjesëmarrjen kuptimplotë dhe të sigurt të grave dhe të rinjve në proceset e paqes dhe sigurisë. Perspektivat dhe kontributet e tyre janë thelbësore për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe adresimin e sfidave të reja të sigurisë.
Në këtë moment kritik, multilateralizmi efektiv kërkon njëkohësisht ambicie dhe pragmatizëm. Shqipëria do të vijojë të punojë me të gjithë partnerët për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare, për të rivendosur besimin, për të forcuar institucionet shumëpalëshe dhe për t’i shndërruar angazhimet tona në përparim konkret drejt një bote më të sigurt dhe më paqësore.
Ju faleminderit, Zoti Kryetar.


