Z. President,
Ju falënderoj për mundësinë për t’iu drejtuar Bordit. Shqipëria e vlerëson lart partneritetin e saj të kahershëm me UNFPA-në dhe ka shprehur tashmë mbështetjen e saj për Programin e Gjashtë të UNFPA-së për Shqipërinë për periudhën 2027–2031.
Gjithashtu, vlerësojmë procesin gjithëpërfshirës dhe të gjerë të konsultimeve të zhvilluar gjatë përgatitjes së Dokumentit të Programit për Vendin, në të cilin u përfshinë institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, shoqëria civile, bota akademike, sektori privat dhe përfaqësues të grupeve në situata vulnerabël. Një angazhim i tillë i gjerë është thelbësor për të garantuar pronësinë kombëtare dhe zbatimin efektiv të Programit.
Shqipëria e konsideron veçanërisht të rëndësishme që Programi i ri i UNFPA-së të jetë plotësisht në përputhje me prioritetet tona kombëtare, Kuadrin e Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2027–2031, Agjendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke kontribuar njëkohësisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, i cili mbetet një objektiv strategjik kombëtar.
Programi është në përputhje të plotë me kuadrot kryesore strategjike të Shqipërisë, përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030, Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021–2030, Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030, Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022–2029, Planin Kombëtar të Veprimit për Moshimin 2025–2030, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Shëndetin dhe të Drejtat Seksuale dhe Riprodhuese 2022–2030.
Jemi të bindur se zbatimi i Programit do të kontribuojë në arritjen e një progresi të prekshëm në fusha me rëndësi jetike për Shqipërinë, përfshirë shëndetin dhe mirëqenien, barazinë gjinore, arsimin, përfshirjen sociale, fuqizimin e të rinjve dhe dinamikat e popullsisë. Këto prioritete janë të ndërlidhura ngushtë dhe janë thelbësore si për objektivat tona të zhvillimit të qëndrueshëm, ashtu edhe për rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian.
Në këtë drejtim, ne njohim kontributin e rëndësishëm të punës së UNFPA-së në përmbushjen e OZHQ 3 për Shëndetin dhe Mirëqenien, OZHQ 5 për Barazinë Gjinore, OZHQ 10 për Reduktimin e Pabarazive, OZHQ 4 për Arsimin Cilësor dhe OZHQ 16 për Paqen, Drejtësinë dhe Institucionet e Forta.
Progresi i arritur nga Shqipëria në këto fusha u pasqyrua gjithashtu në Rishikimin tonë të Dytë Kombëtar Vullnetar, të paraqitur muajin e kaluar në Forumin Politik të Nivelit të Lartë në Nju Jork. Në të njëjtën kohë, Rishikimi evidentoi fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme dhe partneritete më të forta. Ne e konsiderojmë UNFPA-në një partner të rëndësishëm në përkthimin e këtyre angazhimeve në rezultate konkrete.
Një nga prioritetet tona kryesore është garantimi i aksesit universal, të barabartë dhe cilësor në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, duke i kushtuar vëmendje të veçantë grave, vajzave, adoleshentëve dhe personave në situata vulnerabël.
Shqipëria e vlerëson lart mbështetjen e UNFPA-së për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, zgjerimin e aksesit në informacion dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe avancimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual. Po aq i rëndësishëm është fuqizimi i të rinjve me njohuritë dhe informacionin e nevojshëm për të marrë vendime të informuara lidhur me shëndetin dhe të ardhmen e tyre.
Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave mbeten në qendër të prioriteteve kombëtare të Shqipërisë. Institucionet tona janë të angazhuara për forcimin e parandalimit dhe reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore, përmirësimin e shërbimeve për viktimat dhe të mbijetuarit, forcimin e mekanizmave të referimit dhe mbrojtjes, si dhe promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të grave në jetën ekonomike, sociale dhe publike, përfshirë në proceset vendimmarrëse.
Për këtë arsye, i kushtojmë rëndësi të veçantë vijimit të mbështetjes së UNFPA-së në këto fusha dhe përpjekjeve tona të përbashkëta për të garantuar që çdo grua dhe vajzë të mund të jetojë e lirë nga dhuna dhe diskriminimi dhe të ketë akses në shërbime cilësore, të koordinuara dhe të përqendruara te të mbijetuarat.
Të rinjtë përbëjnë një tjetër prioritet qendror për Shqipërinë. Mbështetja e të rinjve kërkon një qasje të integruar, e cila përfshin arsimin dhe aftësitë, mundësitë e punësimit, shëndetin dhe mirëqenien, të drejtat, angazhimin qytetar dhe pjesëmarrjen kuptimplotë në jetën publike.
Për këtë arsye, mirëpresim fokusin e fortë të Programit te të rinjtë dhe inkurajojmë vijimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet UNFPA-së, institucioneve qendrore dhe vendore, shoqërisë civile dhe organizatave rinore, duke garantuar që të rinjtë të mos jenë vetëm përfitues të politikave, por edhe pjesëmarrës aktivë në hartimin e tyre.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë adresimit të ndryshimeve demografike, përfshirë plakjen e popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe migracionin. Këto prirje kanë pasoja të konsiderueshme për tregun tonë të punës, sistemet e mbrojtjes sociale, shërbimet shëndetësore dhe arsimore, zhvillimin territorial dhe rritjen ekonomike afatgjatë.
Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve kombëtare statistikore dhe përdorimi efektiv i të dhënave të besueshme, në kohë dhe të disagreguara mbi popullsinë do të jenë thelbësore për hartimin e politikave të bazuara në evidencë dhe planifikimin afatgjatë të zhvillimit të qëndrueshëm. Ne vlerësojmë ekspertizën dhe mbështetjen e UNFPA-së në këtë fushë.
Gjithashtu, theksojmë rëndësinë e një koordinimi të fortë me institucionet kombëtare, shoqërinë civile dhe organizatat rinore, si dhe të një bashkërendimi efektiv ndërmjet UNFPA-së dhe entiteteve të tjera të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Shqipëri. Një qasje koherente dhe plotësuese në të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara është thelbësore për maksimizimin e ndikimit të ndihmës për zhvillim, shmangien e mbivendosjeve dhe përshpejtimin e progresit drejt OZHQ-ve.
Shqipëria e konsideron Programin e UNFPA-së për Vendin 2027–2031 një instrument të rëndësishëm për avancimin e prioriteteve tona kombëtare dhe arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët në të gjithë vendin.
Jemi të bindur se zbatimi i tij do të kontribuojë në politika më gjithëpërfshirëse, shërbime më cilësore, institucione më të forta dhe në një shoqëri ku barazia, të drejtat e njeriut dhe parimi “Të mos lihet askush pas” mbeten në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm.
Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në partneritetin e saj të frytshëm me UNFPA-në dhe në bashkëpunimin e ngushtë me ekipin e UNFPA-së në Tiranë dhe me të gjithë aktorët kombëtarë përkatës për zbatimin me sukses të Programit për Vendin 2027–2031.
Ju faleminderit.


