Shqipëria mirëpret Dokumentin e Programit të UNDP-së për Vendin 2027–2031, si një kuadër të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë dhe mbështetjen e prioriteteve të zhvillimit të vendit. I hartuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë, ky Dokument Programor pasqyron një partneritet të mirëfilltë ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë, shoqërisë civile dhe UNDP-së.
Në përputhje të plotë me Kuadrin e Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Shqipëri 2027–2031 dhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian, dokumenti përqendrohet në tri fusha të ndërlidhura: zhvillimin gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor; transformimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e gjelbër gjithëpërfshirëse; si dhe qeverisjen, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Këto fusha u përgjigjen një sërë mundësish dhe sfidash me të cilat përballet Shqipëria dhe ofrojnë një bazë gjithëpërfshirëse për vijimin e bashkëpunimit tonë.
Investimi te njerëzit mbetet thelbësor për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë. Ne mirëpresim fokusin e Dokumentit të Programit në përmirësimin e arsimit dhe aftësive, forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit dhe formimit profesional dhe nevojave të tregut të punës, si dhe zgjerimin e mundësive të punësimit, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara. Po aq i rëndësishëm është forcimi i mbrojtjes sociale dhe i shërbimeve me bazë komunitare, duke garantuar që grupet në situata vulnerabël të kenë akses më të mirë në mundësi dhe në shërbimet thelbësore. Këto përpjekje do të kontribuojnë në forcimin e kohezionit social dhe do të ndihmojnë që përfitimet e progresit ekonomik të shtrihen në të gjithë shoqërinë.
Ne i kushtojmë gjithashtu rëndësi të veçantë fokusit të Dokumentit të Programit në transformimin ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) për rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe konkurrueshmërisë do të jetë vendimtare për krijimin e vendeve cilësore të punës dhe forcimin e pozicionit të Shqipërisë në tregjet rajonale dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike kërkon investime të vazhdueshme në biodiversitet, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutjen e efekteve të tyre, reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe aksesin në financimin klimatik. Ne shohim potencial të konsiderueshëm që UNDP-ja të mbështesë qasje inovative, të cilat mund të mobilizojnë burime shtesë dhe të nxisin një pjesëmarrje më të gjerë të sektorit privat.
Forcimi i qeverisjes, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut mbetet një tjetër fushë thelbësore e bashkëpunimit. Shqipëria do të vijojë përpjekjet për modernizimin e administratës publike, forcimin e menaxhimit të financave publike, avancimin e decentralizimit, si dhe konsolidimin e integritetit institucional dhe të masave kundër korrupsionit. Mbështetja e vazhdueshme për institucionet e drejtësisë, aksesin në ndihmën juridike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mekanizmat e pavarur të mbikëqyrjes do të kontribuojë gjithashtu në forcimin e besimit të publikut dhe të shtetit të së drejtës.
Ne mirëpresim në mënyrë të veçantë vëmendjen që Dokumenti i Programit i kushton digjitalizimit, inovacionit dhe inteligjencës artificiale. Shqipëria ka shënuar progres të rëndësishëm në fushën e shërbimeve publike digjitale dhe e konsideron teknologjinë një faktor të rëndësishëm për modernizimin, efikasitetin dhe konkurrueshmërinë. Në të njëjtën kohë, transformimi digjital duhet të mbetet gjithëpërfshirës dhe i përgjegjshëm, duke i kushtuar vëmendjen e duhur mbrojtjes së të dhënave, privatësisë, sigurisë kibernetike dhe aksesit të barabartë në mundësitë digjitale.
Në të gjitha këto fusha, barazia gjinore dhe parimi i “moslënies së askujt pas” duhet të mbeten në qendër të bashkëpunimit tonë. Zhvillimi duhet të adresojë pabarazitë dhe të sigurojë që personat në situata vulnerabël të mund të marrin pjesë plotësisht në progresin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Forcimi i bashkive, pjesëmarrjes qytetare dhe rolit të shoqërisë civile do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për t’i sjellë reformat më pranë komuniteteve.
Dokumenti ofron gjithashtu një bazë të fortë për partneritete të gjera dhe të diversifikuara. Shqipëria vlerëson bashkëpunimin e UNDP-së me Qeverinë në nivel qendror dhe vendor, si dhe angazhimin e saj me Bashkimin Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare, partnerët për zhvillim, sektorin privat, shoqërinë civile dhe botën akademike. Partneritete të tilla mund të ndihmojnë në mobilizimin e financimeve, shkëmbimin e ekspertizës dhe zgjerimin në shkallë më të gjerë të nismave të suksesshme.
Duke parë nga e ardhmja, ne inkurajojmë vijimin e fokusit te pronësia kombëtare, kapacitetet institucionale dhe rezultatet e qëndrueshme. Roli i UNDP-së është veçanërisht i vlefshëm në ato fusha ku mund të ofrojë ekspertizë në hartimin dhe zbatimin e politikave, të lehtësojë krijimin e partneriteteve, të mbështesë inovacionin dhe të ndihmojë në përkthimin e përvojës ndërkombëtare në zgjidhje të përshtatura me kontekstin dhe nevojat e Shqipërisë.
Për rrjedhojë, Dokumenti i Programit për Vendin 2027–2031 përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt reformimit dhe zhvillimit të mëtejshëm. Ambicia jonë e përbashkët është ndërtimi i një Shqipërie më konkurruese, gjithëpërfshirëse, të gjelbër dhe rezistente, ku institucione më të forta dhe mundësi më të mëdha përkthehen në një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.


