Një ditë e plotë dhe intensive, kushtuar tolerancës dhe mosdiskriminimit në kuadër të Komitetit të Dimensionit Njerëzor të OSBE, kryesuar nga Ambasadore Eglantina Gjermeni.
Duke nisur me aktivitetin paralel ku u prezantua Udhëzuesi Praktik i OSBE-ODIHR: “Të kuptuarit e krimeve të urrejtjes anti-kristiane dhe adresimi i nevojave të sigurisë së komuniteteve të krishtera”
Duke vazhduar me aktivitetin paralel të Zvicrës: “Si mund komunitetet fetare dhe të besimit të ndihmojnë në forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh?”
Dhe duke përfunduar me mbledhjen e Komitetit për Dimensionin Njerëzor mbi temën: “Ndërtimi i shoqërive gjithëpërfshirëse përmes dialogut, edukimit dhe sigurisë: adresimi i intolerancës dhe diskriminimit mbi bazën e fesë ose besimit.”
Toleranca dhe mosdiskriminimi janë angazhime themelore të OSBE dhe thelbësore për shoqëritë demokratike, kohezionin social dhe sigurinë gjithëpërfshirëse. Respekti për lirinë e mendimit, ndërgjegjes, fesë apo besimit është njëkohësisht një e drejtë themelore e njeriut dhe një parakusht për shoqëri paqësore, të qëndrueshme dhe të begata. Megjithatë, intoleranca dhe diskriminimi mbi bazën e fesë apo besimit vazhdojnë të jenë të pranishme në rajonin e OSBE-së.
Përvoja tregon se dialogu, edukimi dhe angazhimi i komuniteteve janë ndër mjetet më efektive për të parandaluar intolerancën dhe për të nxitur mirëkuptimin e ndërsjellë.
Në një kohë kur multilateralizmi përballet me sfida të rëndësishme, komunitetet fetare dhe të besimit — të rrënjosura në nivel lokal, të besuara nga shumë njerëz në të gjithë botën — mund të ndërtojnë ura, të promovojnë pajtimin dhe të forcojnë qëndrueshmërinë ndaj përçarjes dhe polarizimit.
Për Shqipërinë, toleranca dhe mosdiskriminimi kanë një domethënie të veçantë. Për shekuj me radhë, komunitete të ndryshme fetare në vend kanë jetuar krah për krah në një frymë tolerance dhe bashkëjetese — një diversitet që duhet ruajtur dhe ndarë si vlerë. Kjo kulturë respekti ka rrënjë të thella: gjatë holokaustit, shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë që i largoheshin persekutimit, dhe edhe sot Shqipëria mban gjallë traditën e hapjes dhe solidaritetit ndaj atyre që kërkojnë strehim nga konflikti. Aktivitetet e sotme ishin një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer përvoja, për të identifikuar praktika të mira dhe për të eksploruar se si shtetet pjesëmarrëse mund të forcojnë më tej përpjekjet për të luftuar intolerancën dhe diskriminimin mbi bazën e fesë apo besimit, duke promovuar njëkohësisht shoqëri gjithëpërfshirëse dhe kohezive.
Faleminderit folësve të nderuar dhe delegacioneve të OSBE për shkëmbimin informues, dinamik dhe konstruktiv.



