Në këtë përvjetor të rëndësishëm, 113-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, pata nderin të pres në nje ceremoni të veçantë komunitetin shqiptar, anëtarë të trupit diplomatik, si dhe përfaqësues të Kongresit të SHBA-së, Departamentit të Shtetit, atashe ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
Kjo ditë e shënuar përkujton momentin themeltar të shtetësisë sonë, një akt vizioni dhe guximi që përcaktoi të ardhmen e kombit shqiptar.
Teksa shënojmë 113 vjet pavarësi, Shqipëria vijon të qëndrojë e angazhuar si një vend demokratik, anëtar i NATO-s dhe partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe të njëjtin përkushtim ndaj lirisë dhe demokracisë.
Jam veçanërisht krenar për komunitetin shqiptar në SHBA, i cili mbetet një urë e fuqishme lidhjeje njerëzore mes dy vendeve tona, një komunitet që forcon miqësinë shqiptaro–amerikane çdo ditë me punë, integritet dhe përkushtim.
Mes shumë shqiptarëve që kishin udhëtuar nga shtete të ndryshme për t’u bashkuar në Washington për këtë festë të pavarësisë, festuam Pavarësinë, por edhe partneritetin tonë të veçantë me SHBA-në, një marrëdhënie që vazhdon të jetë burim sigurie dhe shprese për të ardhmen.
Gëzuar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!



