Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Ervin Bushati, zhvilloi një takim me Kongresmenin Mike Carey nga shteti i Ohajos, me të cilin është takuar dy herë brenda një periudhe të shkurtër kohore, fillimisht në Dayton, gjatë Asamblesë Parlamentare të NATO-s muajin e kaluar dhe tani në zyrën e Kongresmenit në Uashington D.C.
Gjatë bisedës, u shkëmbyen mendime mbi hapat konkretë për të nxitur bashkëpunimin me diasporën shqiptare në SHBA, me fokus të veçantë në komunitetin shqiptar në Ohajo. Të dy palët shprehën angazhimin për të çuar përpara këtë bashkëpunim në të ardhmen e afërt.
Ambasadori Bushati u shpreh mirënjohës për mikpritjen dhe bashkëpunimin konstruktiv me Kongresmenin Carey, duke theksuar entuziazmin për projektet e përbashkëta që pritet të konkretizohen së shpejti.