Ishte kënaqësi të merrja pjesë në çeljen e “Albanian BookFest”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që bashkon shqiptarët e diasporës rreth librit dhe trashëgimisë sonë letrare.
Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, në bashkëpunim me shoqatat dhe shkollat shqipe në New York, New Jersey dhe Philadelphia, i dha jetë këtij festivali në një ceremoni të veçantë të organizuar në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”, të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York.
Ishte emocionuese të shihja shqiptarë të gjeneratave të ndryshme të bashkuar nga dashuria për letërsinë shqipe, të cilët tanimë kanë mundësinë të afrohen edhe më shumë me autorët e tyre të parapëlqyer.
Shpreha mirënjohjen time për “Vatrën”, partnerët organizativë, botuesit dhe autorët, të cilët po sjellin librin shqip më pranë komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në këtë festë të librit shqiptar u prezantuan 26 shtëpi botuese, 230 autorë dhe mijëra tituj librash, një dëshmi e forcës së krijimtarisë shqiptare.



