Gjatë vizitës në Uashington, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi një takim përmbajtësor me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, znj. Allison Hooker, përgjegjëse për marrëdhëniet politike të Shteteve të Bashkuara me aleatët në mbarë botën.
Biseda u përqendrua në çështje që prekin drejtpërdrejt interesat strategjike të Shqipërisë, përfshirë sigurinë në kuadër të NATO-s, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe hapat konkretë për thellimin e partneritetit ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve. U theksua se Shqipëria mbetet një aleate e besueshme, e përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta dhe kontributit aktiv për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Të dyja palët vlerësuan nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, duke forcuar më tej partneritetin strategjik Shqipëri–SHBA.
Në takim morën pjesë gjithashtu Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA, z. Ervin Bushati, si dhe anëtarë të delegacionit shqiptar.


