Më 30 janar 2025, në San José, Kosta Rika, Ambasadori Ervin Bushati paraqiti Letrat Kredenciale pranë Presidentit të Kosta Rikës Sh.T. Z. Rodrigo Chaves Robles. Ky moment i rëndësishëm shënon fillimin zyrtar të misionit diplomatik të Ambasadorit Bushati në Kosta Rika, si Ambasador jo-Rezident, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Presidenti Rodrigo Chaves Robles, njohës i vendit tonë, i cili ka ardhur në Shqipëri në vitin 1997 si Këshilltar i Bankës Botërore për projektet e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, u shpreh i mahnitur me ndryshimet që ka pësuar Shqipëria ndër vite.
Presidenti i Kosta Rikës u shpreh me kënaqësi se “ndjek nga larg ekonominë e vendit dhe të rajonit tonë”, që i njeh kaq mirë, nëpërmjet profesionit të tij të parë.
Gjatë bisedës, Ambasadori Bushati vuri në dukje se përpjekjet dhe progresi transformues në këto dekada janë një histori suksesi, në përputhje me rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjeve për integrimin në Bashkimin Evropian, një aspiratë e gjithë shqiptarëve.
Thellimi i marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët për vendet tona, do të jenë në fokus të agjendës dypalëshe dhe më gjerë.
Me këtë rast, Ambasadori Bushati ftoi zyrtarisht Presidentin Rodrigo Chaves Robles të vizitojë Tiranën.
Ndihem krenar që Shqipëria jonë e vogël njihet si një rast suksesi edhe ne Amerikën Latine.