Më 6 janar 1882 lindi Fan S. Noli. Një personalitet i shquar me kontribute të mëdha në shtetformimin tonë në politikën e jashtme.
Si pjesë e diasporës shqiptare në SHBA, që nga viti 1906, i diplomuar në Universitetin e Harvardit në vitin 1912, ai ishte i dërguari i Vatrës për të kontribuar në një trajtim të drejtë ndërkombëtar të çështjes shqiptare, konsolidimin e shtetit të ri shqiptar , dhe për një orientim sa më perendimor të procesit shtetformues.
Qeveria e Sulejman Delvinës e dekretoi imzot Fan S.Nolin kryetar të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Ai loboi fort dhe shfrytëzoi të gjitha kontaktet e tij personale për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve bashkë me Mid-hat Frashërin, Hil Mossin, e Benedikt Blinishti, proces që u finalizua në 17 dhjetor 1920 me pranimin e Shqipërisë si anëtare e rregullt e Lidhjes së Kombeve. Ky moment e bën Nolin themelues të diplomacisë shumëpalëshe të shtetit shqiptar.
Fan.S.Noli ishte përfaqësuesi i parë i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve gjatë vitit 1921. Ai shpresonte shumë tek Lidhja e Kombeve, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e shteteve të vogla për problemet e tyre, përballë tryezave të mbyllura të diskutimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, që përcaktonin fatet e këtyre shteteve. Fan Noli argumentoi dhe bindi qeverinë e Tiranës, e më pas nënshkroi pa asnjë hezitim Deklaratën e Lidhjes se Kombeve për mbrojtjen e minoriteteve në v.1921. Ky ishte një hap jo i lehtë për fillimin e viteve ’20-të të shek.XX në një rajon si Ballkani që trashigonte probleme të mëdha me trajtimin e pakicave kombëtare, pasojë e kompromiseve të mëdha në këtë rajon.
Ai shpresonte se Lidhja e Kombeve do e trajtonte më drejtë çështjen shqiptare nëpërmjet një diplomacie të hapur, sesa diskutimi midis ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në tryeza të mbyllura dhe u përpoq shumë që kjo të ndodhte. Pavarësisht përpjekieve të Nolit, gjithë përfaqësuesve të shtetit shqiptar të kohës, dhe diasporës shqiptare kudo ndodhej, vullneti ndërkombëtar për një vendim final për ripërcaktimin e statusit dhe kufijve politikë të shtetit shqiptar u shpreh në Konferencën e Ambasadorëve, Paris 9 nentor 1921. Noli u kthye në Atdhe pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve 1921, dhe në janar 1922 mori postin e Ministrit të Punëve të Jashtme që e mbajti gjatë vitit 1922. Duke e konsideruar një vepër patriotike, Noli u be nismëtar i Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, që u realizua në Kongresin e Beratit në gusht 1922.
Noli mori pjese aktive në opoziten e viteve 1923-1924, dhe pas ngjarjeve të qershorit 1924, Noli u be kryeminister i Shqipërisë për 6 muaj. U largua nga atdheu mbas 24 dhjetorit 1924. Pasi kaloi gjashtë vite në Austri, Gjermani, Zvicer duke u angazhuar në publicistikë, dhe më pas u rikthye ne SHBA ku udhëhoqi Kishën Autoqefale Shqiptare të Amerikës, si dhe u mor me letërsi, histori, përkthime. Vdiq në Florida, 13 mars 1963.
Prof.Asoc.Pranvera Teli-Dibra
Drejtoria e Arkivit Historik
Newsroom
Fan S. Noli!