Një delegacion nga Komuniteti Shqiptar në Illinois, Albanian Community of Illinois – AACI i kryesuar nga Kryetari i Bordit, z. Gjaneto Harusha zhvilloi një vizitë në Uashington DC. Gjatë kësaj vizite ato zhvilluan një takim në Ambasadë me Ambasadoren Floreta Faber.
Ambasadorja vlerësoi angazhimin e Komunitetit shqiptar të Illinois dhe shprehu mirënjohjen për solidaritetin dhe kontributin e tyre në ndihmë të familjeve shqiptare të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.
Në vijim përfaqësuesit e AACI prezantuan punën që po bën ky komunitet për themelimin e Qendrës Kulturore Shqiptare në Çikago. Ato shprehën dëshirën për të forcuar dhe koordinuar bashkëpunimin me Ambasadën në drejtim të nxitjes dhe organizimit të punës me komunitetin, duke propozuar një takim gjithëpërfshirës me diasporën në Amerikë. Në emër të diasporës në Çikago, z. Harusha propozoi përparësitë për hapjen e një Konsullate të përbashkët Shqipëri-Kosovës në Çikago.
Ambasadorja Faber shprehu dëshirën dhe vullnetin për thellimin e punës me diasporën, si një nga prioritetet e punës së saj. Ajo kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë veçanërisht për nxitjen e investimeve amerikane në Shqipëri.
Ambasadorja Vlora Çitaku kishte rezervuar atë mbrëmje një pritje për të ardhurit nga Çikago me të ftuar diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, Marigona Marku.
AACI është një organizatë ombrellë për organizatat shqiptare që veprojnë në shtetin e Illinois.
Newsroom
Takim me përfaqësues të Organizatës “Albanian Community of Illinois – AACI”