Një tjetër kapitull i suksesshëm në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA u shënua me vizitën në Shqipëri të Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, znj. Marie Royce.
Gjatë kësaj vizite (14-16 tetor 2020) e cila kishte si qëllim konsolidimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e arsimit dhe kulturës mes Shqipërise dhe Shteteve të Bashkuara, znj. Royce zhvilloi takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare, ndër ta Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama.
Vizita nisi me takimin mes znj. Royce dhe Ministres së Kulturës, znj. Elva Margariti, ku në qendër të bisedës ishin programet ekzistuese të Qendrës së Trashëgimisë Kulturore të Departamentit të Shtetit dhe mundësia për të zgjeruar përpjekjet për mbrojtjen dhe zhvillimin e pasurive kulturore.
Gjatë takimit me Kryeministrin Rama, bashkëbiseduesit konfirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe përmendën veçanërisht rritjen e financimeve për programin Fulbright, duke dakordësuar se shkëmbimet arsimore e kulturore janë thelbësorë për prosperitetin e dy vendeve.
Takimi i znj. Royce me Presidentin Meta u përqëndrua tek rëndësia që edukimi ndërkombëtar dhe shkëmbimet kanë në promovimin e multikulturalizmit dhe krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit që sjellin dy popujt më afër me njëri-tjetrin.
Znj. Royce pati gjithashtu një takim me Ministren e Arsimit, znj. Evis Kushi, gjatë të cilit u diskutuan programet arsimore që Departamenti Amerikan i Shtetit ofron për nxënësit e studentët shqiptarë, duke nënvizuar si arritje nënshkrimin vitin e kaluar të marrëveshjes për shtimin e nivelit të financimit nga Qeveria Shqiptare për programin e bursave studentore Fulbright.
Gjatë vizitës në Shqipëri, znj. Royce u takua me një grup alumni të Programit të Lidershipit të Vizitorëve Ndërkombëtarë si dhe me përfaqësues të Akademisë së Grave Sipërmarrëse. Një aspekt paksa më i veçantë ishte edhe vizita që znj. Royce zhvilloi në qytetin e Krujës.
Për kontributin e saj të çmuar në avancimin e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Universiteti i Tiranës i akordoi znj. Marie Royce titullin Doctor Honoris Causa.
Ambasada shqiptare në Washington DC përfiton nga kjo mundësi për të shprehur falenderime të sinqerta për znj. Royce dhe bashkëpunimin e saj të pakursyer, që rezultoi në këtë vizitë mjaft produktive dhe të suksesshme.
Newsroom
Vizitë zyrtare në Shqipëri e Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, znj. Marie Royce.