- Marrëdhëniet dypalëshe
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë vendosur në 22 korrik 1922 dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, periudhë kjo relativisht e shkurtër duke patur parasysh rrethanat historike tepër të vështira nëpër të cilat kaloi vendi ynë në vitet e para të shpalljes së pavarësisë.
SHBA ka qënë një mik për Shqipërinë në momentet kur ekzistenca e saj vihej në pikëpyetje, që nga koha e Presidentit Ëilson.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e SHBA në Tiranë u rihap më 1 tetor 1991.
Më 22 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA-ve që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit.
Marrëdhëniet arritën një pikë kulmore me vizitën që Presidenti i SHBA, Xhorxh W. Bush zhvilloi më 10 qershor 2007 në Tiranë. Kjo ka qenë vizita e parë e një Presidenti amerikan në Shqipëri.
Marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve janë pasqyruar dhe konkretizuar edhe në një sërë vizitash të të gjitha niveleve. Ndër vizitat e tjera zyrtare të nivelit më të lartë ng apala amerikane evidentohen: Vizitat e Sekretarëve amerikanë të Shtetit: znj.Madeleine Albright (19 Shkurt 2000); z. Colin Poëell (2 Maj 2003); znj. Hillary Clinton (1 Nëntor 2012); z. John Kerry, shkurt 2016; z.Ramsfeld, Sekretarit amerikan i Mbrojtjes, si dhe vizita të zyrtarëve të lartë amerikanë.
Në datën 15 shkurt 2024, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë.
Nga pala shqiptare janë zhvilluar vizita zyrtare në Uashington nga Presidentët, Kryetarët e Kuvendit, Kryeministrat, Ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Mbrojtjes.
Shqipëria i është mirënjohëse SHBA për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese të vendit.
Viti 2009 shënon një moment tjetër kulmor për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, duke konsoliduar dhe konkretizuar një aleancë të rëndësishme, atë në kuadër të NATO-s.
Marrëdhëniet mes vendeve tona janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. SHBA-të janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Niveli i marrëdhënieve dypalëshe vlerësohet i shkëlqyer. Këto marrëdhënie kanë hyrë në fazën e partneritetit mbi bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, në çështjet rajonale dhe ato globale.
Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të qenë partner përkrah SHBA-të në konsolidimin e demokracisë, zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë, ruajtjen e stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. SHBA-të mbështesin rolin e Shqipërisë në rajon si dhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik Shqipëri-SHBA, nënshkruar më 20 prill 2015, gjatë vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati në Uashington, pasqyron më së miri marrëdhëniet e partneritetit mes dy vendeve. Ky dokument fokusohet në partneritetin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në tre plane: partneritet për çështjet globale; partneritet për çështjet rajonale dhe partneritet për agjendën dypaleshe, dialogu politik, siguria, forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe shkëmbimet arsimore-kulturore.
Partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi mes dy vendeve njohin dimensione të reja. Dialogu i parë strategjik Shqipëri-SHBA u zhvillua më 25 tetor 2022 në Uashington. Dialogu rikonfirmoi marrëdhëniet e partneritetit strategjik midis vendeve tona, gatishmërinë për të çuar para një sërë prioritetesh të përbashkëta dypalëshe, si dhe kontributin për sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Gjatë mandatit të Shqipërisë si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, bashkëpunimi në kuadër të Këshillit të Sigurimit shënoi një dimension i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Shqipëria jep kontributin e saj në misionet paqeruajtëse si në Afganistan dhe Irak. Ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit dhe ISIL, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.
Bazuar në partneritetin strategjik me SHBA-në Shqipëria mirëpriti mbi 2 mijë qytetarë afganë, për të gjithë periudhën tranzitore të nevojshme, përpara vendosjes së tyre të përhershme në SHBA, gjë që u vlerësua lart nga autoritetet më të larta amerikane.
- Bashkëpunimi ekonomik
Ekziston dëshira dhe vullneti që marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në nivelin e marrëdhënieve politike. Ka një hapësirë të gjerë me potencial të pashfrytëzuar për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri.
Për realizimin e këtij objektivi, për përmirësimin e klimës së biznesit dhe legjislacionit, Qeveria ka ndërmarrë, në një kuadër më të gjerë, një sërë nismash ligjore.
Në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë apo institucionet amerikane evidentohet bashkëpunimi me USAID, Fondin Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhomën Amerikane të Tregtisë, etj.
- Marrëveshjet dypalëshe
- Traktati për arbitrazhin, nënshkruar më 22.10.1928, hyrë në fuqi më 12.02.1929.
- Traktati për pajtimin, nënshkruar më 22.10.1928, hyrë në fuqi më 12.02.1929.
- Traktati mbi ekstradimin ndërmjet Mbretërisë së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruar më 1.03.1933, hyrë në fuqi më 14.11.1935.
- Konventë për shkëmbimin e urdhrave të xhirimit, nënshkruar më 18.07.1932, hyrë në fuqi më 1.10.1932.
- Marrëveshje lidhur me asistencën ekonomike dhe teknike, nënshkruar më 10.06.1992, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje me shkëmbim notash lidhur me punësimin e familjarëve të zyrtarëve qeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, data e nënshkrimit më 30 gusht dhe 30 shtator 1993, hyrja në fuqi më 30.09.1993.
- Marrëveshje për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e të dhënave për hartat topografike, nautike, aeronautike dhe informacionin, të dhënat digitale gjeodezike dhe gjeofizike lidhur me hartat, dhe materialet gjeodezike, nënshkruar më 25.03.1994, hyrë në fuqi më 25.03.1994.
- Memorandum i mirëkuptimit lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nënshkruar më 15.03.1995, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ekonomike dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruar më 10.06.1992, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje me shkëmbim notash për disa ndryshime në “Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së SHBA-së për zgjidhjen e disa pretendimeve, nënshkruar më mars 10.03.1995, hyrë në fuqi më 18.04.1995. Ndryshimi i saj është nënshkruar më 18.11.2005 për SHBA dhe 27.04.2006 për palën tonë.
- Traktati ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së SHBA-së lidhur me inkurajimin dhe mbrojtjen reciproke të investimit, nënshkruar më 11.01.1995, hyrë në fuqi më 4.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për programin e korpusit të paqes të SHBA në Shqipëri, nënshkruar më 22.07.2003, hyrë në fuqi më 9.10.2003.
- Marrëveshje për zbatimin e ligjit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruar më 10.1.2002.
- Karta e Adriatikut ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë dhe SHBA-së, nënshkruar më 2.5. 2003, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me dorëzimin e personave në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, nënshkruar më 2.05. 2003, ligji nr. 9081, datë 19.06.2003 hyrë në fuqi 7.07.2003.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake dhe të mbrojtjes, nënshkruar më 12.05.2003, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje plotësuese ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e “Marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut Verior dhe të Shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe në lidhje me statusin e forcave të tyre” mbi statusin e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë, nënshkruar më datë 31.03.2004, hyrë në fuqi më 19.08.2004.
- Marrëveshje e transportit ajror ndërmjet Qeverisë Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruar më 24.09. 2003, hyrë në fuqi më 5.04.2004.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive të caktuara kulturore, nënshkruar më 12.07.2004, hyrë në fuqi më 2.11.2009.
- Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së për shkatërrimin e sigurtë, pa rrezik dhe pa pasoja për mjedisin të armëve kimike, nënshkruar më 30.12.2004, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës Amerikane “Lockheed Martin”, “Për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare”, nënshkruar më 15.03.2005, ratifikuar me ligjin nr. 9384, datë 04.05.2005.
- Marrëveshje e grantit të objektivit strategjik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së SHBA-së, për të luftuar korrupsionin, në kuadër të programit fillestar të vlerësimit të sfidës së mijëvjeçarit, nënshkruar më 3.04.2006, ratifikuar me ligjin nr. 9549, datë 1.6.2006.
- Marrëveshje granti i strategjive objektive ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të luftuar korrupsionin (Faza II), nënshkruar më 29.09.2008, ratifikuar me ligjin nr. 10026, datë 11.12.2008 (USAID)
- Memorandum i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruar më 26.06.2009, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Marrëveshje e ndihmës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qeverisjen me drejtësi dhe në mënyrë demokratike; investimin në njerëz dhe rritjen ekonomike, nënshkruar më 30.9.2010.
- Dokumenti i amendimit numër një të Marrëveshjes së ndihmës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qeverisjen me drejtësi dhe në mënyrë demokratike, investimin në njerëz dhe rritjen ekonomike, nënshkruar më 16.9.2011 për qeverinë e SHBA dhe më 19.9.2011 për qeverinë e RSH-së.
- Memorandum i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillimin, nënshkruar më 7.06.2011, hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.
- Dokumenti i amendimit numër dy i Marrëveshjes së ndihmës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qeverisjen me drejtësi dhe në mënyrë demokratike, investimin në njerëz dhe rritjen ekonomike, nënshkruar më 4.4.2012, miratuar me VKM nr. 789, datë 14.11.2012.
- Marrëveshje e ndihmës për objektiva zhvillimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, nënshkruar më 30.9.2013.
- Marrëveshja e Grantit për objektiva zhvillimi ndërmjet Qeverisë së SHBA-ve, që vepron nëpërmjet Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Qeverisë Shqiptare “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.
- Amendimi numër katër i “Marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, nënshkruar më 29.12.2014.