Republika e Shqipërisë aderon në Aktin e Gjenevës të Marrëveshjes së Lisbonës

Më 26 qershor 2019, Shqipëria depozitoi pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO),  instrumentin e aderimit në Aktin e Gjenevës të Marrëveshjes së Lisbonës “Për mbrojtjen e emërtimeve të Origjinës dhe Regjistrimin e tyre Ndërkombëtar” (“Akti i Gjenevës”).
 
Shqipëria është një vend i vogël, por gjeografia, historia, zakonet, traditat dhe njerëzit e saj ofrojnë  mundësi të shkëlqyera zhvillimi. Gjithnjë e më shumë, falë dhe WIPO, të drejtat e pronësisë intelektuale po konsiderohen si asete juridike, ekonomike dhe kulturore me vlerë për bizneset, por dhe shoqërinë shqiptare në tërësi.
 
Në maj 2019, Shqipëria u bë palë e Marrëveshjes së Lisbonës, çka e bënte aderimin në Aktin e Gjenevës një hap të natyrshëm, veçanërisht kur marrim parasysh se mbrojtja e treguesve gjeografikë është një mënyrë për të mbrojtur njohuritë tradicionale për produktet bujqësore dhe jo-bujqësore.
 
Aktualisht, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) janë regjistruar 11 tregues gjeografikë dhe/ose emërtime origjine me prejardhje nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si keci i Hasit, boronica e bjeshkëve kuksiane dhe të Tropojës, gështenja dhe mjalti i gështenjës së Malësisë së Madhe, gështenja dhe mjalti i gështenjës së Tropojës, jufka dibrane, molla dibrane, etj.
 
Me aderimin në Marrëveshjen e Lisbonës dhe Aktin e Gjenevës, kemi një kuadër ndërkombëtar më të thjeshtë dhe më të harmonizuar, prej të cilit mund të përfitojnë të gjitha palët e interesuara. Ky kuadër, nëse shfrytëzohet siç duhet, mund të ndikojë në rritjen e vlerës së produkteve tradicionale, në gjallërimin e zonave rurale, në ruajtjen e biodiversitetit, të trashëgimisë kulturore e gastronomike, sikurse dhe ofron mundësinë e njohjes në tregjet e huaja të produkteve karakteristike shqiptare.
 
Akti i Gjenevës krijon, gjithashtu, mundësinë që organizatat ndërqeveritare të bëhen palë në Marrëveshjen e Lisbonës. Shqipëria e sheh me interes këtë mundësi të re që zgjeron fushën e mbrojtjes, veçanërisht kur Bashkimi Evropian – partneri kryesor tregtar – pritet të bëhet palë në vjeshtën e 2019.
 
Shqipëria është i treti vend që aderon në Aktin e Gjenevës, i cili do të hyjë në fuqi tre muaj pas aderimit të pesë palëve. Ndërsa kjo pritet të ndodhë brenda vitit 2019, DPPI dhe WIPO kanë filluar bashkëpunimin teknik për zbatimin me sukses të Marrëveshjes së Lisbonës dhe Aktit të Gjenevës, dy kontribuues të rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme social-ekonomike të vendit.
 
(Foto: WIPO/Berrod)

Adresa

Misioni i Shqipërisë
Rue du Môle 32, 1201 Gjenevë

Tel / Fax

Tel: +4122 7311143
Fax; +4122 7388156
Nr. e emergjences: +41 79 151 85 04 / +4122 7311143

E-MAIL

mission.geneve@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00