Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Australi në bashkëpunim me Shoqatën e Komunitetit Shqiptaro-Australian (AACA) në Melbourn dhe shoqatat shqiptare të Dandenongut dhe Sheppartonit (në shtetin Victoria) organizuan nga dt.27-29 nëntor 2022 disa aktivitete festive me rastin e 110 vjetorit të Ditës së Pavarësisë dhe 78 vjetorin e Ditës së Çlirimit të atdheut.
Ceremonia kryesore festive u zhvillua në qendër të Melburnit: “Federation Square”. Në këtë aktivitet morrën pjesë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, etj.
Ceremonia u hap nga kryetari i Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro Australian (AACA), z. Sezar Jakupi, i cili ia dha fjalën të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës së RSH, Adrian Mara. Pas fjalimeve të rastit, nën tingujt e Himnit tonë Kombëtar, z. Adrian Mara ngriti flamurin kombëtar shqiptar. Në Melbourn, festimet e 28 nëntorit u mbyllën me një pritje tradicionale që AACA kishte organizuar me komunitetin shqiptar.
Në vijim më 29 nëntor u zhvilluan takime festive dhe fjalë përshëndetëse me rastin e 28-29 nëntorit edhe në qytetet e Dandenongut dhe Sheppartonit, në cilat jetojnë rreth 10.000 shqiptarë.
Aktivitetet u përmbyllën më 30 nëntor, në Canberra-kryeqytetin e Australisë, në të cilin Ambasada e Shqipërisë organizoi në kinemanë kryesore të qytetit “Dendy cinema” shfaqjen e filmit: “Australia my Home: An Albanian migration”, me producent shqiptaro-australianin Reg Qemal. Në këtë aktivitet morrën pjesë përfaqësues nga Departamenti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Australisë, Richard Wade; ambasadorë dhe përfaqësues nga trupi diplomatik në Canberra, shqiptarë me banim në Canberra dhe Sydney, etj. Në përfundim të filmit, Ambasada organizoi një pritje në nder të të pranishmëve.
Aktivitete festive me rastin e festave të 28-29 nëntorit u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Australisë si në Sydney, Adelaide dhe Perth.
Newsroom
Ambasada e Shqipërisë në Australi feston 28-29 nëntorin