Marrëdhëniet bilaterale Shqipëri-Austri
Bashkëpunimi politik
Marrëdhëniet dypalëshe me Austrinë janë të shkëlqyera dhe po zhvillohen në mënyrë mjaft dinamike me një përkushtim nga të dyja palët për t’i thelluar dhe çuar ato më tej në të gjitha fushat. Tregues domethënës i këtij përkushtimi është numri i lartë i shkëmbimit te vizitave dypalëshe të nivelit të lartë politik në nivel Presidenti, Kryeministri e ministrave të linjës. Një dimension të ri po merr bashkëpunimi intensiv midis parlamenteve të dy vendeve, përfshirë shkëmbimin e vizitave të niveleve më të larta parlamentare.
Lidhjet midis Shqipërisë dhe Austrisë janë shekullore. Konsullatat e para austriake u hapën para më shumë se dy shekujsh, respektivisht në vitin 1751 në Durrës, 1801 në Shkodër dhe 1806 në Vlorë (në kuadrin e bashkëpunimit të Perandorisë Austro-Hungareze me Perandorinë Osmane). Konferenca e ambasadorëve në Londër 29 korrik 1913 (Perandoria Austro-Hungareze, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Franca, Gjermania, Italia) njohu Shqipërinë si shtet të pavarur dhe konsulli austro-hungarez Dr. Heinrich Ritter Lëwenthal von Linau dorëzoi pranë Princ Vidit letrat kredenciale më 20 mars 1914. Me krijimin e Republikës së Austrisë janë vendosur marrëdhëniet diplomatike nё 18 shkurt 1922 dhe pas ndërprerjes gjatë Luftës së Dytë Botërore janë rivendosur nё 7 shkurt 1956.
Shqipëria hapi në vitin 1962 Legatën shqiptare në Vjenë, e cila në vitin 1982 u ngrit në nivelin e një ambasade, kurse Austria e hapi ambasadën e saj në Tiranë në 1992.
Shqipëria i është mirënjohëse Austrisë, si një prej katër partnerëve strategjikë rajonalë, për qëndrimin e saj në mbështetjen konstante për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, hapjen e negociatave me BE-në dhe avancimin fuqishëm të bashkëpunimit në nivel evropian.
Bashkëpunimi ekonomik
Bashkëpunimi ekonomik e tregtar midis të dy vendeve është thelluar dhe zgjeruar në vitet e fundit, por jemi të bindur se ka ende shumë mundësi të pashfrytëzuara për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve me interes reciprok.
Shqipëria vlerëson ndihmën afatgjatë financiare të Qeverisë Austriake nëpërmjet Strategjisë së Përbashkët të Bashkëpunimit për Zhvillim të fokusuar në mbështetjen e reformave në qeverisjen e mirë, arsimin profesional, procesin e decentralizimit dhe mbështetjen për avancimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, që tani po realizohen nga zyra e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).
Komisioni i Përbashkët Ekonomik me 9 sesionet e tij ka ndikuar në avancimin e bashkëpunimit tonë, përmirësimin e marrëdhënieve tregtare e ekonomike dhe zgjidhjen e çështjeve eventuale.
Kompanitë austriake janë të pranishme në sektorë kyç, duke përfshirë energjetikën, sistemin bankar, sektorin e sigurimeve, infrastrukturën, sektorin minerar dhe turizmin. Austria bën pjesë në grupin e investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri. Kompanitë austriake më të njohura në Shqipëri janë: Raiffeisen Bank, Sigal Unica Group Austria, Vienna Insurance Group, EVN, Verbund, Enso HYDRO, LF Construction, Pendel & Pisswanger, Izopack, Strabag, Porr, Abada, Rogner Hotel, IC-Consultants, Wolf & Theiss, DCM, Trema, Ardex etj. Sipas Qendrës Kombëtare Shqiptare të Biznesit, 89 sipërmarrje me pronësi austriake janë duke punuar në Shqipëri që nga janari 2024: 68 prej tyre janë me 100% kapital të huaj dhe 21 janë sipërmarrje të përbashkëta.
Stoku i investimeve direkte austriake për vitin 2024 arriti në 822 milionë euro, duke e vendosur Austrinë në vendin e 7 ndër investitorët e huaj të drejtpërdrejtë në Shqipëri.
Volumi tregtar i shkëmbimeve me Austrinë ka ardhur duke u rritur dhe për vitin 2025 pritet një rritje e eksporteve. Shqipëria eksporton ferro-nikel, këpucë, konfeksione të gatshme, veshje sportive, perime e fruta, si dhe produkte te tjera bujqësore. Ajo importon nga Austria makineri, aparate e pajise mekanike, pije, produkte farmaceutike dhe produkte ushqimore te gatshme, sheqer e ëmbëlsira.
Vitet e fundit është rritur dhe numri i vizitorëve dhe turistëve austriake, ku vetëm për vitin 2024 kanë qenë rreth 60.000 persona.
Bashkëpunimi në fushën e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës
Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe të kulturës ka arritje shumë të mira. Ky bashkëpunim ka filluar menjëherë pas ndryshimeve pas viteve 90, fillimisht me ndihma materiale për shkollat dhe universitetet, e më vonë me programe projekte konkrete bashkëpunimi, ku më të spikaturit janë bashkëpunimi midis Universitetit të Gracit me atë të Shkodrës, mbështetja për shkollën e mesme të turizmit në Tiranë dhe partneriteti me atë të Kremsit, hapja e shkollës së mesme për teknologjitë e informacionit “Peter Mahringer Schule” në Shkodër.
Sot mbetet një fushë e rëndësishme bashkëpunimi arsimi i lartë, ku bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare e atyre austriake po shtohet dhe thellohet. Marrëveshja Ndërqeveritare për Bashkëpunimin ndërmjet BOKU (Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, Vjenë) – UBT (Universiteti Bujqësor i Tiranës), firmosur ne 15 prill 2024, do të cojë në ndërkombëtarizimin e Universiteteve Shqiptare, ku UBT duke qenë një projekt pilot, do të synojë të reformohet sipas modelit BOKU.
Ka një bashkëpunim intensiv midis institucioneve kulturore shqiptare dhe austriake. Ky bashkëpunim kulturor dhe shkencor mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një nga komponentët më të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Në vitin 2018 u zhvillua viti i kulturës Austri – Shqipëri nën moton “Ri-zbulojmë së bashku” me koncerte, ekspozita, projekte letrare dhe shkencore të shumta. Në vitet në vijim janë zhvilluar veprimtari të tjera të rëndësishme kulturore me hapje ekspozitash dhe shfaqje të filmave shqiptarë. Intensiv ka qenë në vite bashkëpunimi midis Teatrit të Operës dhe Baletit me Operën e Vjenës në përgatitjen e këngëtarëve të rinj dhe instrumentistëve, si dhe në vënien në skenë të pjesëve muzikore.
Komisioni i Përbashkët për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës, mbledhur në nëntor 2023 në Tiranë, ka përcaktuar edhe fushat për bashkëpunim në kulturë, arsim e shkencë për vitet 2023-2027.
Edhe bashkëpunimi midis Akademive të Shkencave është rritur më shumë dhe memorandumi i majit 2023 po shërben për të intensifikuar bashkëpunimin midis të dy akademive, shkëmbimin e shkencëtarëve dhe studime të përbashkëta në fushat me interes reciprok me fokus të veçantë fushën e albanologjisë, si dhe orientimin drejt shkencave tekniko-natyrore.
Vizita të nivelit të lartë 2022-2024
• Vizitë pune e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasanin dhe takim me Ministrin Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare Alexander Schallenberg , më 22 nëntor 2024 në Vjenë.
• Pjesëmarrje e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasani në takimin „Miqtë e Ballkanit“, në kuadër të Forumit Evropian Wachau, më 21 qershor në Götvajg.
• Vizitë pune e Ministrit të Brendshëm z. Tauland Balla dhe takim me Ministrin e Brëndshëm austriak z. Gerhard Karner (16 maj 2024).
• Pjesëmarrje e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme z.Igli Hasani në konferencën “Humanity at Crossroads: Autonomous Weapons Systems and the Challenge of Regulation”, më 29 prill 2024 në Vjenë.
• Vizitë e Delegacionit Parlamentar të Komisionit të Integrimit të Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga kryetarja znj. Jorida Tabaku në Austri, më 24-26 prill 2024.
• Vizitë pune e Ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu dhe e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj. Anila Denaj me Ministrin Federal të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit z. Martin Polaschek dhe Ministrin Federal të Bujqësisë dhe Pyjeve z. Norbert Totschnig, më 15-16 prill 2024 në Vjenë-firmosja e marrëveshjes ndërqeveritare për BOKU-UBT.
• Vizitë e Ministres Federale të BE-së dhe Kushtetutës znj. Karoline Edtstadler dhe e Ministrit të Punës dhe Ekonomisë z. Martin Kocher shoqëruar nga një delegacion ekonomik, më 4-5 prill 2024 në Tiranë.
• Vizitë pune e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasanin dhe takim me Ministrin Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare z. Alexander Schallenberg, më 17 nëntor 2023 në Vjenë.
• Pjesëmarrje e Ministrit Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare z. Alexander Schallenberg në emër të Kancelarit Federal Karl Nehammer në takimin e nivelit të lartë për Procesin e Berlinit, më 16 tetor 2023 në Tiranë.
• Pjesëmarrje e Ministrit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare z. Alexander Schallenberg në takimin e ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, më 6 tetor 2023 në Tiranë.
• Vizitë e kryetarit të parë të Parlamentit të Vjenës z. Ernst Woller dhe takim me kryetarin e bashkisë z. Erion Veliaj, më 27-28 shtator 2023, Tiranë.
• Vizitë e Delegacionit Parlamentar të Miqësisë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga kryetarja znj. Etilda Gjonaj në Austri, më 25-27 shtator, 2023.
• Vizitë zyrtare e kryetarit të parlamentit austriak z. Wolfgang Sobotka dhe takim me kryetaren e parlamentit shqiptar znj. Lindita Nikolla në Tiranë, më 27 qershor 2023.
• Vizitë e Ministres Fedrale të Mbrojtjes znj.Klaudia TANNER dhe takim me ministrin z. Niko Peleshi, në Tiranë (25.04.2023).
• Vizite zyrtare e Presidentit Federal z. Alexander Van Der Bellen, shoqëruar nga Ministrja Federale të Drejtësisë znj. Alma Zadic dhe një delegacion biznesi të kryesuar nga Zëvendës presidentja e WKÖ (Dhomës Austriake të Tregtisë) Martha Schultz dhe takime me Presidentin z. Bajram Bega dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në Shqipëri (26 – 28 mars 2023).
• Vizitë në Tiranë e Kancelarit Federal z. Karl Nehammer dhe takim me Kryeministrin z. Edi Rama ne kuadrin e Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë (06.12.2022).
• Vizitë pune në Shqipëri e Ministrit të Federal të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit z. Martin Polaschek dhe takime me Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu (03-05 nëntor 2022).
• Vizitë pune në Vjenë e Ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi dhe takim me Ministrin e Brendshëm z. Gerhard Karner (10 tetor 2022).
• Vizitë në Austri e Kryeministrit z. Edi Rama dhe takim me Ministrin e Bujqësisë Norbert Torschnig, dhe sekretaren e shtetit për turizmin znj. Susanne Kraus-Winkler dhe rektoren e BOKU-së në kuadrin e Forumit të Alpbachut (24 gusht 2022).
• Vizitë në Austri e Kryeministrit z. Edi Rama dhe takim me Kancelarin Federal z. Karl Nehammer në kuadrin e Konferencës së Wachau-t (25 qershor 2022).
• Vizitë pune në Tiranë e Ministrit të Brendshëm z. Karl Nehammer dhe takim me Ministrin e Brendshëm z. Bledi Çuçi (29 shtator 2021).
KUADRI LIGJOR
Marrëveshjet e nënshkruara
Është një kuadër i plotë ligjor me mbi 40 marrëveshje, i cili nxit dhe mbështet bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve, shkëmbimet tregtare e zhvillimin e biznesit, si dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës e shkencës:
1. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Federale Austriake mbi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, nënshkruar më 26.6.1992, ka filluar zbatimin në 31.12.2006.
2. Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, nënshkruar më 8.3.1993, hyrë në fuqi më 2.5.1995.
3. Protokoll i shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Austrisë për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, nënshkruar më 2.5.1995.
4. Marrëveshje e transportit ajror ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Federale te Austrisë, nënshkruar më 18.3.1993.
5. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Ndërtimit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Federale të Austrisë, nënshkruar më 20.10.1993.
6. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Austrisë mbi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, nënshkruar më 29.3.1994.
7. Protokolli ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Austriak dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar për bashkëpunimin në fushën e arkivimit, nënshkruar ne Tiranë me 01.12.1998.
8. Marrëveshje grant ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe Qeverisë së Austrisë përfaqësuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit për financimin e projektit, Zhvillimi rural i integruar i zonës së Kelmendit, veriu i Shqipërisë, nënshkruar më 20.12.2004.
9. Protokolli i Sesionit të Tretë të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-austriak për Bashkëpunimin Ekonomik, nënshkruar më 12.4.2005, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
10. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës, nënshkruar më 31.10.2005, hyrë në fuqi më 1.11.2006.
11. Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Landit të Austrisë së Poshtme dhe EVN AG, nënshkruar më 15.1.2007.
12. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë për bashkëpunim dhe ndihmën në fushën e doganave, nënshkruar më 9.3.2007, hyrë në fuqi më 1.10.2007.
13. Protokoll i takimit të komisionit të përbashkët austriako–shqiptar për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës për vitet 2007-2010, nënshkruar më 28.1.2007.
14. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës, nënshkruar më 31.10.2005, hyrë në fuqi më 1.11.2006.
15. Marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, nënshkruar më 14.12.2007, fillon veprimi nga data 01.01.2009.
16. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Metrologjisë mes Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë me Institutin Austriak të Metrologjisë (BEV) nënshkruar më datë 06.11.2007.
17. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë mbi bashkëpunimin për zhvillim, nënshkruar më 3.6.2008, hyrë në fuqi më 1.11.2008.
18. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Republikës së Austrisë përfaqësuar nga Ministri Federal i Financës mbi bashkëpunimin financiar, nënshkruar më 3.6.2008, hyrë në fuqi më 1.11.2008.
19. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit (ADA) mbi asistencën grant financiare për Projektin e Furnizimit me ujë dhe mbrojtjen e liqenit të Shkodrës, nënshkruar më 19.12.2007 për palën shqiptare dhe më 7.1.2008 për palën austriake, hyrë në fuqi më 7.1.2008.
20. Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit Federal të Transportit, Inovacionit dhe Teknologjisë të Republikë së Austrisë për bashkëpunimin me orientim teknologjik në fushën e shëndetësisë, nënshkruar më 5.6.2008, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
21. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave (Ministria e Financave) dhe Unicredit Bank Austria, për financimin për përmirësimin e pajisjeve mjekësore për spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, me një kredi të butë, nënshkruar më 6.5.2009.
22. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë mbi ndihmën e ndërsjellë në rast të katastrofave ose të fatkeqësive të mëdha, nënshkruar më 27.1.2010, hyrë në fuqi më 1.7.2011.
23. Marrëveshje e kredisë së eksportit ndërmjet Këshillit të Ministrave (Ministria e Financave) dhe UniCredit Bank Austria për financimin e përmirësimit të Departamentit të Neurokirurgjisë për Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, nënshkruar më 22.12.2010, hyrë në fuqi më 15.4.2011.
24. Marrëveshje e kredisë për eksport ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Ministria e Financave) dhe UniCredit Bank Austria AG për financimin e modernizimit të 6 spitaleve rajonale kryesore, nënshkruar më 30.7.2010, hyrë në fuqi më 21.2.2011.
25. Marrëveshje për bashkëpunimin financiar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, nënshkruar më 7.12.2010, hyrë në fuqi më 1.5.2011.
26. Protokolli ndryshues i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e Kulturës, Arsimit dhe Shkencës, nënshkruar më 29.08.2012, miratuar me VKM-në nr.657 datë 26.9.2012.
27. Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën shkencore dhe teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, nënshkruar më 2.5.2012, hyrë në fuqi më 1.1.2013.
28. Marrëveshja e Kredisë së Eksportit ndërmjet Republikës së Shqipërisë e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Erste Bank der Oesterreichischen Sparkassen AG (Huadhënësi) për projektin e tatimit elektronik (E-Taxation)”, nënshkruar më 27.3.2013.
29. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë Federale Austriake dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin e ndërsjellë të të dhënave në çështjet e kontrollit të migracionit dhe çështjet e azilit, firmosur ne Vjene më 29.01.13 dhe hyrë në fuqi më 01.07.2013
30. Marrëveshja e Kredisë për Eksport ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Ministria e Financave) dhe Unicredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit”, nënshkruar më 27.6.2014, miratuar me Dekretin nr.8650, datë 30.7.2014.
31. Marrëveshje Granti ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit mbi Asistencën Teknike për Sistemin e Ujësjellës Kanalizimeve, nënshkruar më 12.12.2014, ratifikuar me ligjin nr.21/2015.
32. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë mbi bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik, nënshkruar më 2.5.2012.
33. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë Federale të Shkencës, Kërkimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Shqipërisë në fushën e turizmit, nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 2014.
34. Protokoll i Sesionit të 6 të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Austri, nënshkruar në Tiranë, më 20.10.2014.
35. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Federale të Shkencës, Kërkimit dhe Ekonomisë së Republikës së Austrisë për bashkëpunim në fushën e turizmit, nënshkruar më 10.2.2016, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
36. Protokolli i bashkëpunimit i Mbledhjes së III të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Austri për bashkëpunim në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës për vitet 2016-2020, mbajtur në Vjenë, në 7-8 nëntor 2016, hyrë në fuqi në datën 8.11.2016.
37. Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrisë së Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Federale të Shkencës, Kërkimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë “Për zhvillimin dhe përballimin e strehimit”, nënshkruar më 21.2.2017.
38. Protokoll i Sesionit të 7-të të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Austri për bashkëpunimin ekonomik, nënshkruar më 11 Prill 2018 në Vjenë.
39. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë në fushën e mbrojtjes shoqërore, nënshkruar në Tiranë, më 25.01.2017, hyn në fuqi në datën 01.12.2018.
40. Marrëveshja administrative për zbatimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë në fushën e mbrojtjes shoqërore’, nënshkruar në Tiranë, më 11.09.2018, hyn ne fuqi më 01.12.2018.
41. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet DPPI të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Patentave të Austrisë, nënshkruar më 12.12.2019
42. Protokoll i Sesionit të 8-të të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Austri për bashkëpunimin ekonomik, nënshkruar më 6 dhjetor 2021 në Tiranë.
43. Protokoll i takimit të 4-të të komisionit të përbashkët austriako–shqiptar për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës për vitet 2023-2027, nënshkruar në Tiranë në nëntor 2022.
44. Memorandumi i bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Austriake për bashkëpunimin midis Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës të Vjenës –BOKU, firmosur më 15 prill 2024 në Vjenë.