Më 11 maj 2025, mbi 20,000 vizitorë nga e gjithë bota morën pjesë në ceremoninë solemne për përkujtimin e 80-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit Mauthausen në Austri. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin figura të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, përfshirë Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, Kancelarin Stocker, Zëvendëskancelarin Babler dhe Ministren e Jashtme Meinl-Reisinger. Pjesë e ceremonisë ishin gjithashtu Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës, Felipe VI dhe Letizia, Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, si dhe përfaqësues të lartë nga Gjermania. Ceremonia e këtij viti u zhvillua nën moton “Së bashku për një ‘kurrë më!’”, duke theksuar domosdoshmërinë për të mos harruar kurrë krimet e së kaluarës dhe për të forcuar vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe respektit të ndërsjellë.
Kampi i përqendrimit Mauthausen, një nga më të egrit në sistemin nazist, mbajti rreth 200,000 të burgosur gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga të cilët shumica humbën jetën. Nga Shqipëria ishin 427 veta shumica e të cilëve humbën jetën në këtë kamp.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga Ambasadorët Fate Velaj dhe Eglantina Gjermeni, të cilët vendosën kurora dhe buqeta me lule pranë monumentit qendror, si dhe te pllakat përkujtimore të viktimave shqiptare dhe kosovare, si dhe pranë monumenteve dhe pllakave përkujtimore te Kosovës, Italisë, Ukrainës, Polonisë, SHBA-së. Kjo ceremoni, përveç rëndësisë historike dhe përkujtimore, shërben si një platformë ndërkombëtare për riafirmimin e angazhimit kundër urrejtjes, mohimit të Holokaustit dhe çdo forme të ekstremizmit.









