Më 5 shkurt 2026 pranë godinës ku nga viti 1927 deri më 1934 ka jetuar poeti ynë i shquar kombëtar Lasgush Poradeci, u zbulua pllaka përkujtimore me emrin e tij. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë autoritetet më të larta të qytetit, kryetarja e Bashkise Elke Kahr, Ministrja e Kulturës për Landin e Steiermarkut Claudia Unger, ambasadori Fate Velaj, një delegacion nga qyteti i Pogradecit kryesuar nga Kryetari u Bashkisë Ilir Xhakolli, konsullja e Nderit për Steiermarkun Annemari Graf, studjues dhe shumë bashkatdhetarë e qytetarë të Grazit.
Ceremoninë e hapi kryetarja e Bashkisë së Grazit, znj. Elke Kahr e cila mbajti dhe fjalimin vlerësues mbi jeten dhe veprimtarinë e poetit Poradeci, duke ngritur lart krimtarinë e tij si një poet lirik, dhe që ndjehej krenare që qyteti i Grazit kishte dhenë kontributin e tij në formimin e këtij poeti të shquar, një qytet ku Lasgushi nuk gjeti vetëm një vend për studime, por edhe një fushë intelektuale, që ndikoi dukshëm në krijmtarinë e tij letrare.
Ambasadori Velaj falenderoi bashkinë e Grazit dhe kryetaren e saj për bashkëpunimin e shkëlqyer për realizimin e vendosjes së pllakës në përkujtim të një nga figurave më të shquara të letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci, duke realizuar një dëshirë të gjithë komunitetit shqiptar në Austri dhe duke finalizuar më në fund të gjitha ato përpjekje në vite. Ai nënvizoi pas një viti të mbushur me takime, telefonata dhe korrespondencë zyrtare, u bë e mundur vendosja e pllakës përkujtimore, duke i dhënë kështu një shërbim të rëndësishëm kulturës shqiptare dhe pranisë së saj në Austri.
Në emër të Bashkisë së Pogradecit përshëndeti zëvendëskryetari i Bashkisë Paskalino Ziko, i cili falenderoi bashkinë e Grazit dhe ambasadën për realizimin e vendosjes së pllakës në përkujtim të birit më të shquar të Pogradecit.
Ministrja e Kulturës për Landin e Steiermarkut Claudia Unger vuri në pah bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me Grazin duke nënvizuar se kjo tabelë duhet të jetë edhe një mirënjohje për njerëzit nga Shqipëria që sot jetojnë e punojnë në Graz.
Në ceremoni përshëndetën drejtori i kompanisë së sigurimeve “Grawe” (pronare e godinës, që miratoi vendosjen e pllakës përkujtimore) Manfred Stranz dhe konsullja e nderit Anemaria Graf.
Gjatë ceremonisë u lexuan gjithashtu poezi nga vepra e poetit Poradeci në shqipe dhe gjermanishte nga artistja shqiptare Lori Lako dhe aktorja austriake Barbara Rauchenberger. 



