Bashkëpunimi politik
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë vendosur që më 3 dhjetor 1913, ku Ministria e Jashtme e Perandorisë së Austro-Hungarisë vendosi hapjen e tre konsullatave në vendin tonë: në Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Nga viti 1956 deri në vitin 1991 Austria është përfaqësuar në vendin tonë nga ambasadori i saj në Beograd. Në muajin gusht 1991 Qeveria Austriake emëroi ambasadorin për Shqipërinë me rezidencë në Vjenë, i cili paraqiti letrat kredenciale në shtator 1991.
Marrëdhëniet tona me Austrinë janë zhvilluar në mënyrë intensive dhe ka patur një varg vizitash e takimesh të niveleve të larta. Takime të shumta zhvillohen edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe forumeve shumëpalëshe, ku janë të anëtarësuar dy vendet tona.
Në janar të vitit 1992 Austria i dha Shqipërisë statusin e partnerit më të favorizuar, duke i dhënë një hov të veçantë marrëdhënieve politiko-ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare. Bashkëpunimi i ngushtë është i bazuar kryesisht në 19 marrëveshjet bilaterale të nënshkruara deri tani mes dy vendeve respektive, që përfshijnë fusha të ndryshme.
Pas anëtarësimit në BE, Austria ka përkrahur konkretisht përpjekjet e vendit tonë për t’u integruar në Evrope, sidomos në arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptar, si dhe aktualisht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Bashkëpunimi Ekonomik
Në periudhën 1991-1995 qeveria austriake e ka mbështetur Shqipërinë nëpërmjet Programit austriak të Ndihmës Humanitare. Krijimi i Zyrës së Koordinimit të ADA (Agjencisë Austriake të Ndihmës për Zhvillim) pranë Ambasadës austriake në Tiranë (1995) u konsiderua si një hap drejt një bashkëpunimi afatgjatë.
Pas viteve 1996-1997 aktiviteti i ADA dhe partnerëve të tjerë austriakë u përqendrua në zonën veriore të vendit, duke patur për qëllim ngushtimin e dallimeve ekonomiko-sociale mes rajoneve të vendit. Programi për Bashkëpunimin Teknik e Financiar, si një program pasues i Programit të Ndihmës ka kontribuar pozitivisht përmes financimit të projekteve të ndryshme.
Akordimi nga ana e Austrisë vendit tonë, statusin e kombit më të favorizuar në tregti, nënshkrimi i marrëveshjeve të ndryshme me karakter ekonomik, shtimi i interesimit të biznesit privat austriak për të investuar në Shqipëri, ka vendosur themelet për rritjen në vazhdimësi të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Austrisë vitet e fundit ka ardhur duke u rritur. Hap domethënës në këtë drejtim janë edhe organizimi i pesë sesioneve të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar shqiptaro austriak, si në Vjenë ashtu edhe në Tiranë.
Bashkëpunimi në fushën ekonomike me Austrinë përfshin: bashkëpunimin në kuadrin e projekteve të asistencës, të fokusuara në drejtim të: furnizimit me uje, energjisë elektrike; arsimit – kulturës; bashkëpunimi në kuadrin e projekteve të BE-së si edhe në fushën e biznesit privat.
Përsa i përket biznesit privat, ka një interesim në rritje të angazhimit kompanive austriake në Shqipëri, veçanërisht në formën e investimeve direkte. Ka shkëmbime të vizita te delegacioneve te biznesit austriak ne Tiranë dhe atij shqiptar në Vjenë, ndërkohe qe është rigjallëruar ndjeshëm bashkëpunimi midis Dhomave të Tregtisë së dy vendeve. Austria ka premtuar rritjen e kredive, krijimin e lehtësirave dhe mbështetjeve për investitorët austriake në vendin tonë, si shprehje e prioritetit të veçantë që gëzon Shqipëria në politikën dhe interesat ekonomike të ndërsjella me të. Ky bashkëpunim intensiv ka sjellë edhe rritje të dukshme në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.
Bashkëpunimi në fushën e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës
Ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë egzistojnë marrëdhënie tepër pozitive në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës. Kjo konfirmohet edhe nga Marrëveshjet ndërshtetërore të nënshkruara për këtë qëllim ndërmjet qeverive të të dy vendeve, të cilat po i citojmë më poshtë :
1. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunim në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës, nënshkruar më 31.10.2005, hyrë në fuqi më 01.11.2006.
2. Protokolli i takimit të Komisionit të përzier austriako-shqiptar për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës për vitet 2007-2010, nënshkruar më 28.06.2007.
Aktualisht, në fushën e arsimit Austria ka kontribuar me anë të projekteve të saj, më i rëndësishmi prej të cilëve është hapja në vitin 2006 e shkollës së mesme me profil teknik(HTL) në Shkodër, një shkollë me personel pedagogjik austriak, e cila është një prej 6 shkollave të tilla që Austria ka hapur në gjithë botën. Në vijim të eksperiencës tepër pozitive të kësaj shkolle, si në aspektin e pjesëmarrjes dhe në atë të mësimdhënies, qeveria shqiptare me asistencën teknike të qeverisë austriake, ka vendosur hapjen e një shkolle të ngjashme edhe në Tiranë. Projekti është në fazën e implementimit.
Edhe në fushën e kulturës ka një bashkëpunim aktiv ndërmjet institucioneve kulturore të të dy vendeve. Konkretizim i këtij bashkëpunimi, ishte sjellja këtë vit në bashkëpunim me Volkstheatër të Vjenës, i dy trupave teatrore nga Shqipëria, trupës së teatrit Metropol të Tiranës, e cila vuri në skenë komedinë „Tri mendje në ankand“ të Ferdinand Hysit, dhe trupa e Akademisë së Arteve me monodramën „Fausti prej Tirane“ të Stefan Çapalikut. Cilësia e veprave dhe loja profesioniste e aktorëve shqiptarë, sollën një sukses të merituar të shfaqjeve gjatë të dy ditëve të aktivitetit.
Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Austri:Universiteti i Vjenës ka ngritur prej vitit 2011 një qendër për mësimin e gjuhëve,“Sprachzentrum”. Këtu ofrohen kurse për shumë gjuhë, ndërmjet të cilave dhe leksione për mësimine gjuhës shqipe. Kurse për mësimin e gjuhës shqipe ofrohen edhe në shkollat e mesme “Volkshochschule”. Në qytetin e Vjenës ato zhvillohen “Volkshochschule” Bigittenau, Meidling dhe Favoriten. Seksioni i Arsimit të qytetit të Vjenës (Stadtschulrat für Ëien) ka organizuar mësimin e gjuhës amtare shqipe për të gjitha klasat dhe tipet e shkollave, duke filluar nga shkolla fillore deri në gjimnaz, për fëmijët shqipfolës. Gjithashtu, në Universitetin e Gracit u hap gjatë vitit akademik 2004-2005 një degë përkthimi shqip-gjermanisht-shqip.
Botime mbi Shqipërinë në Austri: Botimet më të hershme i ka bërë grupi i studiuesve të Universitetit të Gracit, i cili përbëhej nga historianët Karl Kaser, Robert Pichler dhe Kurt Gostentschnigg në kuadrin e disa projekteve të atij Universiteti. Më poshtë po i rendisim sipas viteve :
1995. Helmut Eberhart /Karl Kaser (botues). Albanien. Stammesleben zwischen Tradition und Moderne. Shtëpia Botuese Böhlau Wien ∙ Köln ∙ Weimar.
1996. Fatos Baxhaku / Karl Kaser. Die stammesgesellschaften Nordalbaniens. Berichte und Forschungen österreichischer Konsuln und Gelehter (1861-1917). Shtëpia Botuese Böhlau.
2003. P. Jordan, K. Kaser, Walter Lukan, Stefanie Schwandner-Sievers dhe Holm Sundhaussen – Albanien. Geographie, historische Anthropologie, Geschichte, Kultur, Postkommunistische Transformation. Shtëpia Botuese “Peter Lang”, Frankfurt am Main.
Nga Institut für Indogermanistik, si pjesë e Institut für Sprachwissenschaft, ka kryer studime mbi gjuhën shqipe, Dr. Joachim Matzinger, i cili ka bërë këto botime:
2006.Der altalbanische Text [E] Mbsuame e Krështerë (Dottrina Cristiana) des Lekë Matrënga von 1592, eine Einführung in die albanische Sprachwissenschaft, Dettelbach, 316 fq. Sht. Botuese J. H. Röll, Dettelbach. Është një punim mbi veprën e Lekë Matrëngës.
-Grundzüge der nominalen Wortbildung des Altalbanischen im Seelsorgehandbuch des Gjon Buzuku (1555). Die Wortbildungsmuster des sekundären Wortschatzes. Është punimi i docenturës, të cilin Dr. Matzinger po e përgatit për botim.
2005.Në bashkëpunim me Prof. Dr. Monica Genesin: Albanologische und balkanologische Studien. Festschrift für Wilfried Fiedler,Hamburg. 307 fq. Sht. Botuese Dr. Kovač.
2009.Në bashkëpunim me Prof. Dr. Monica Genesin: Nordalbanien – L’Albania del Nord. Linguistisch-kulturhistorische Erkundungen in einem unbekannten Teil Europas. Contributi linguistici e culturali su un’area sconosciuta dell’Europa, Hamburg, 199 fq. Shtëpia Botuese Dr. Kovač.
2010. Në bashkëpunim me Prof. Dr. Monica Genesin & Prof. Dr. Giancarlo Vallone: The Living Skanderbeg. The Albanian Hero between Myth and History, Hamburg, 319 fq. Shtëpia Botuese Dr. Kovač.
Dr. Ina Arapi, ka punuar gjithashtu mbi autorët e vjetër gegë dhe ka botuar tezën e disertacionit të plotësuarsi monografi:
2010.Der Gebrauch von Infinitiv und Konjunktiv im Altalbanischen mit Ausblick auf das Rumänische, Hamburg, 330 fq. Shtëpia Botuese Dr. Kovač.
2014. Die altlabanischen Verben (Foljet e shqipes së vjetër), Shtëpia Botuese Harrassowitz, Wiesbaden, që u prezantua më 6 mars 2014, rezultat i një projekti 4-vjeçar të FWF, të cilin e ka drejtuar S. Schumacher në bashkëpunim me J.Matzinger. Botimi është një lloj fjalori i foljeve të shqipes së vjetër së bashku me karakteristikat gramatikore dhe etimologjinë e tyre.
Akademia Austriake e Shkencave ka botuar në vitin 1993 një përmbledhje të gramatikës historike të gjuhës shqipe nga Prof. Shaban Demiraj.
1996. Wien und die albanischen Schriftsteller. Schriftsteller aus Ost-, Ostmittel -und Südosteuropa über die Stadt Wien.
2011. Akademia ka botuar të përkthyer në gjermanisht punimin me titull:
Hava und Sali Hidri. Die frühchristliche Basilika in Arapaj / Durrës (Albanien). Botuese është Prof. Renate Pillinger. Kjo është një vepër shumë e rëndësishme, e para për arkeologët shqiptarë e botuar në Austri.
Një punim me rëndësi është botuar edhe mbi filatelinë shqiptare:
2001. Felix Gamillscheg. So entstand Albanien. Dokumentiert in seinen Briefmarken. Shtëpia Botuese Pollischansky, Vjenë, vepër filateliste, nëpërmjet së cilës pasqyrohet krijimi dhe konsolidimi i shtetit shqiptar.