Forumi ekonomik i Vjenes (FEV) organizoi në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare më 21 qershor 2024 pritjen tradicionale vjetore me temë “Një udhëtim kulinar e muzikor nëpër vendet anëtare të FEV-it”, e cila u inkuadrua edhe në kuadrin e Forumit të Wachaut dhe takimit të Ministrave të nismës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe Ministrave të Rajonit.
Në këtë pritje që u organizua në mjediset e anijes “Dürnstein” merrnin pjesë mbi 400 ftuar: zyrtarë të institucioneve qëndrore austriake, Ministra, drejtues të dhomës së tregtisë së Austrisë, përfaqësues nga bota e biznesit dhe kulturës, diplomatë, si dhe shumë bashkatdhetarë.
Të pranishmit i përshendeti Sekretarja e Përgjithshme të FEV-it amb.Elena Kircheva, Presidenti i FEV-it Martin Eichtinger, Guvernatorja e Landit te Austrisë së Poshtme Johanna Mikleitner dhe Ministrja per Evropën dhe Kushtetutën Karoline Edstadler.
Ambasadat e shteteve pjesëmarrëse në këtë pritje ofruan për të ftuarit nga një tryezë me gatime, pije dhe ushqime tradicionale, fletëpalosje, si dhe një program të shkurtër me pjesë muzikore (këngë, valle e veshje popullore).
Ambasada jonë u prezantua në këtë pritje me qytetin e UNESCO-s, Gjirokastrën, duke shpalosur vlerat më të shkëlqyera kulturore, turistike, të folkut dhe të kulinarisë së këtij qyteti. Për të bërë prezantimin kishin ardhur dy nënkryetaret e Bashkisë së Gjirokastrës Kristina Gushi e Dorina Muhaj, drejtorja e trashëgimisë kulturore Esmeralda Llongo dhe fotografja Evgjeni Mosko.
Stenda jonë u vizitua edhe nga Guvernatorja Mikl-Leitner dhe Ministrja Edstadler, të cilat vlerësuan gatimet, pijet e kostumet popullore të ekspozuara, si dhe Gjirokastrën si një pasuri e UNESCO-s. Shqipöria u paraqit me kostumin e grave tö Lunxherisö.
Me drejtuesit e Vienna Economic Forum u diskutua që Gjirokastra të ftohet të marrë pjesë dhe në veprimtari të ndryshme që FEV do të organizojë nëpër Europë.