MARRËDHËNIET BILATERALE SHQIPËRI-AUSTRI
Bashkëpunimi politik
Marrëdhëniet dypalëshe me Austrinë janë të shkëlqyera dhe po zhvillohen në një mënyrë mjaft dinamike e me një përkushtim nga të dyja palët për t’i thelluar dhe çuar ato më tej në të gjitha fushat. Tregues domethënës i këtij përkushtimi është numri i lartë i shkëmbimit të vizitave dypalëshe të nivelit të lartë politik në nivel Presidenti, Kryeministri, Ministri të Jashtëm e ministrave të linjës. Vizita zyrtare e Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj në Austri më 25-26 mars 2025, shënon një moment të ri në intensifikimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve.
Një dimension të ri po merr bashkëpunimi intensiv midis parlamenteve të dy vendeve, përfshirë shkëmbimin e vizitave të niveleve më të larta parlamentare.
Shqipëria i është mirënjohëse Austrisë, si një prej katër partnerëve strategjikë rajonalë, për qëndrimin e saj në mbështetjen konstante për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe hapjen e negociatave me BE-në. Austria mbetet një mbështetëse e qartë e perspektivës europiane për Shqipërinë. Ajo mbështet Shqipërinë sidomos në fusha si lufta kundër korrupsionit dhe drejtësia, kërkesa kyçe për integrim në BE.
Historiku i marrëdhënieve
Lidhjet midis Shqipërisë dhe Austrisë janë shekullore. Konsullatat e para austriake u hapën para më shumë se dy shekujsh, respektivisht në vitin 1751 në Durrës, 1801 në Shkodër dhe 1806 në Vlorë (në kuadrin e bashkëpunimit të Perandorisë Austro-Hungareze me Perandorine Osmane). Konferenca e ambasadoreve në Londër 29 korrik 1913 (Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Franca, Gjermania, Italia, Perandoria Austro-Hungareze) njohu Shqipërinë si shtet të pavarur dhe konsulli austro-hungarez Dr. Heinrich Ritter Lӧwenthal von Linau dorezoi prane Prinz Vidit letrat kredenciale 20 mars 1914. Me krijimin e Republikёs së Austrisё janë vendosur marredheniet diplomatike nё 18 shkurt 1922 dhe pas ndërprerjes gjatë Luftës së Dytë Botërore janё rivendosur nё 7 shkurt 1956.
Shqipëria hapi në vitin 1962 Legatën shqiptare në Vjenë, e cila në vitin 1982 u ngrit në nivelin e një ambasade, kurse Austria e hapi ambasadën e saj në Tiranë në vitin 1992.
Bashkëpunimi ekonomik
Bashkëpunimi ekonomik e tregtar midis të dy vendeve është thelluar dhe zgjeruar në vitet e fundit, por jemi të bindur se ka ende shumë mundësi të pashfrytëzuara për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve me interes reciprok.
Shqipëria vlerëson ndihmën afatgjatë financiare të Qeverisë Austriake nëpërmjet Strategjisë së Përbashkët të Bashkëpunimit për Zhvillim të fokusuar në mbështetjen e reformave në arsimin profesional, qeverisjen e mirë në procesin e decentralizimit dhe mbështetjen për avancimin e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal, që tani po realizohen nga zyra e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).
Komisioni i Përbashkët Ekonomik me 9 sesionet e tij ka ndikuar në avancimin e bashkëpunimit tonë, përmirësimin e marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike dhe zgjidhjen e çështjeve eventuale.
Kompanitë austriake janë të pranishme në sektorë kyç, duke përfshirë energjitikën, sistemin bankar, sektorin e sigurimeve, infrastrukturën, sektorin minerar dhe turizmin. Austria bën pjesë në grupin e investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri. Kompanitë austriake më të njohura në Shqipëri janë: Raiffeisen Bank; Sigal Unica Group Austria; Vienna Insurance Group; EVN; Verbund; Enso HYDRO, LF Construction; Pendel & Pisswanger; Izopack; Strabag; Porr; Abada; Rogner Hotel; IC-Consultants; Wolf & Theiss; DCM; Trema; Ardex; Porche Albania sh.p.k; RÖFIX Albania, PORR etj.
Sipas Qendrës Kombëtare Shqiptare të Biznesit, 89 sipërmarrje me pronësi austriake janë duke punuar në Shqipëri që nga janari 2024. 68 prej tyre janë me 100% kapital të huaj dhe 21 janë sipërmarrje të përbashkëta.
Stoku i investimeve direkte austriake për vitin 2024 arriti në 875 milionë euro, ku fluksi i investimeve të reja vetëm për vitin 2024 ishte €119 milionë, duke e vendosur Austrinë në vendin e 7 ndër investitorët e huaj të drejtpërdrejtë në Shqipëri.
Volumi tregtar i shkëmbimeve me Austrinë ka ardhur duke u rritur dhe për vitin 2025 pritet një rritje e eksporteve. Shqipëria eksporton ferronikele, këpucë, konfeksione të gatshme, veshje sportive, perime e fruta, si dhe produkte te tjera bujqësore. Ajo importon nga Austria makineri, aparate e pajise mekanike, pije, produkte farmaceutike dhe produkte ushqimore te gatshme, sheqer e ëmbëlsira.
Vitet e fundit është rritur dhe numri i vizitorëve dhe turistëve austriake, ku vetëm për vitin 2024 kanë qenë rreth 60.000 persona.
Bashkëpunimi në fushën e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës
Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe të kulturës ka arritje shumë të mira. Ky bashkëpunim ka filluar menjëherë pas ndryshimeve pas viteve 90, fillimisht me ndihma materiale për shkollat dhe universitetet, e më vonë me programe e projekte konkrete bashkëpunimi, ku më të spikaturit janë bashkëpunimi midis Universitetit të Gracit me atë të Shkodrës, mbështetja për shkollën e mesme të turizmit në Tiranë dhe partneriteti me atë të Kremsit, hapja e shkollës së mesme për teknologjitë e informacionit “Peter Mahringer” në Shkodër etj.
Sot mbetet një fushë e rëndësishme bashkëpunimi në arsimin e lartë, ku bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare e atyre austriake po shtohet dhe thellohet. Marrëveshja ndërqeveritare për Bashkëpunimin ndërmjet BOKU (Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, Vjenë) – UBT (Universiteti Bujqësor i Tiranës), firmosur në 15 prill 2024, do të çojë në ndërkombëtarizimin e Universiteteve Shqiptare, ku UBT duke qenë një projekt pilot, do të synojë të reformohet sipas modelit BOKU por do t’i japë një mbështetje edhe zhvillimit bujqësor.
Në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Agjencinë Kombëtare për Arsimin dhe Trajnimin Profesional dhe Kualifikimet, Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi dhe institucione të tjera arsimore shqiptare, Zyra e Koordinimit Rajonal për Bashkëpunim Teknik me bazë në Tiranë, zbaton projekte në fushat kryesore të arsimit dhe trajnimit profesional, zhvillimit të cilësisë në shkollë dhe dixhitalizimit.
Fokuset kryesore janë: Arsimi dhe trajnimi profesional (të 29 shkollat publike të arsimit profesional në Shqipëri dhe të 10 qendrat publike të trajnimit profesional, me fokus në turizëm dhe edukimin e IT-së; Zhvillimi i cilësisë në shkollë dhe integrimi gjinor; Forcimi i bashkëpunimit midis shkollave dhe sektorit të biznesit; Dixhitalizimi në shkolla.
Ka një bashkëpunim intensiv midis institucioneve kulturore shqiptare dhe austriake. Ky bashkëpunim kulturor dhe shkencor mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një nga komponentët më të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Në vitin 2018 u zhvillua viti i kulturës Austri – Shqipëri nën moton “Rizbulojmë së bashku” me koncerte, ekspozita, projekte letrare e shkencore të shumta. Në vitet në vijim janë zhvilluar veprimtari të tjera të rëndësishme kulturore me hapje ekspozitash dhe shfaqje te filmave shqiptarë , ku duhet të përmendin ekspozitën për “Kalorësin e Babunjës” në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë për periudhën 13 maj-4 gusht 2025 dhe u vizitua nga më shumë se 230 mijë vizitorë.
Intensiv ka qenë në vite bashkëpunimi midis Teatrit të Operës dhe Baletit me Operën e Vjenës në përgatitjen e këngëtarëve të rinj dhe instrumentistëve, si dhe në vënien në skenë të pjesëve muzikore.
Komisioni i Përbashkët për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës, mbledhur në takimin e 4-t në nëntor 2023 në Tiranë, ka përcaktuar edhe fushat për bashkëpunim në kulturë, arsim e shkencë për vitet 2023-2027.
Edhe bashkëpunimi midis Akademive të Shkencave është rritur më shumë dhe memorandumi i majit 2023 po shërben për të intensifikuar bashkëpunimin midis të dy akademive, shkëmbimin e shkencëtarëve dhe studime të përbashkëta në fushat me interes reciprok me fokus të veçantë fushën e albanologjisë, si dhe orientimin drejt shkencave tekniko-natyrore.
Komuniteti shqiptar në Austri
Austria ka qenë një destinacion i preferuar i shqiptarëve në të gjitha kohërat. Nuk mund të flasim për një diasporë të vjetër në Austri, pasi ka patur pak shqiptarë të vendosur në territorin e saj.
Ndër shqiptarët më të shquar kanë qenë inxhinieri dhe projektuesi i hekurudhave Karl Gega (1802-1860) dhe aktori i shquar Aleksandër Moisiu (1879-1935).
Komuniteti më i madh i emigrantëve ekonomikë shqiptarë nga Shqipëria (rreth 6000 persona) u vendos në këtë vend pas vitit 1990. Ata janë të integruar plotësisht në shoqërinë austriake dhe japin kontributin e tyre në forcimin e lidhjeve midis të dy vendeve, por edhe në përmirësimin e imazhit të vendit.