Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, zhvilloi takime me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Belgjikës, Peter De Roover, dhe me Presidentin e Senatit, Vincent Blondel.
Gjatë takimeve u theksuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Belgjikës, të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe angazhimin për stabilitetin rajonal, si dhe për integrimin europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin me Presidentin Peter De Roover, Kryetari Peleshi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar si një mekanizëm kyç për forcimin e marrëdhënieve politike dhe gjithëpërfshirëse mes dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Europian, duke riafirmuar se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik kombëtar, i bazuar në parimin e meritës dhe në rezultate konkrete reformash.
Presidenti De Roover vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe theksoi se Belgjika do të vijojë mbështetjen e saj, duke e konsideruar procesin e anëtarësimit një prioritet të bashkëpunimit parlamentar.
Në takimin me Presidentin e Senatit, Vincent Blondel, u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar, sundimin e ligjit dhe shkëmbimin e përvojave në proceset reformuese. Kryetari Peleshi vlerësoi ekspertizën belge në fushat e drejtësisë, administratës publike dhe rendit, si dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese të dy vendeve.
Bisedimet përfshinë gjithashtu çështje të migracionit, bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme dhe perspektivat për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryetari Peleshi theksoi rolin e diasporës shqiptare në Belgjikë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh.
Presidenti i Senatit, Vincent Blondel, shprehu vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe parlamentare, duke konfirmuar mbështetjen e Belgjikës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Takimet në Bruksel konfirmuan mbështetjen e qartë të Belgjikës për integrimin europian të Shqipërisë, si dhe vullnetin e përbashkët për avancimin e partneritetit dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar në funksion të integrimit europian, stabilitetit rajonal dhe paqes.
Kryetari i Kuvendit u shoqërua nga Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë, Albana Dautllari, dhe një delegacion parlamentar i përbërë nga deputetët Igli Hasani, Ulsi Manja dhe Evis Kushi.


