Më 26 Nëntor u organizua në Bruksel pritja me rastin e Festës Kombëtare, një aktivitet i përbashkët i Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë, Misionit të Shqipërisë pranë NATO-s dhe Misionit të Shqipërisë pranë BE-së.
Këtë vit, festimet u zhvilluan në një moment domethënës për vendin tonë: forcimin e marrëdhënieve me Belgjikën, ku spikat vendimi për hapjen e ambasadave në Bruksel dhe Tiranë, si dhe në kuadër të procesit të integrimit evropian hapja e të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në, duke e bërë Shqipërinë në Bruksel një simbol të progresit dhe ambicies evropiane.
Në pritje morën pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, të institucioneve të BE-së dhe NATO-s, të institucioneve federale dhe rajonale belge, si dhe shoqata, profesionistë dhe të rinj shqiptarë që kontribuojnë në Belgjikë.
Në një sallë prestigjioze dhe me një atmosferë të shkëlqyer, nën performancën muzikore të Bandës së Forcave të Armatosura, rreth 300 pjesëmarrës patën mundësinë të shijonin kuzhinë dhe pije autentike shqiptare, të shoqëruara me foto dhe video promovuese nga Shqipëria.


