Shqipëria në zemër të inovacionit evropian!
Më 9 tetor 2025, në Bruksel, Ambasada e Shqipërisë në Belgjikë, në bashkëpunim me ALBAN Global, organizoi eventin frymëzues “The Next Frontier: Europe’s Borders of Innovation & Collaboration” — një takim që bashkoi përfaqësues të Komisionit Evropian, investitorë ndërkombëtarë, sipërmarrës shqiptarë dhe liderë të inovacionit nga mbarë Europa.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Albana Dautllari nënvizoi energjinë e re të Shqipërisë në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes, duke theksuar se vendi po shndërrohet në një qendër të re investimesh në Ballkanin Perëndimor.
Ajo ftoi partnerët belgë dhe ata europian të shohin nga afër potencialin e Shqipërisë për bashkëpunime të guximshme dhe projekte që kapërcejnë kufijtë tradicionalë të tregut.
Nga Shqipëria mori pjesë Znj. Ledi Imeraj, Drejtore e Agjencisë për Inovacionin dhe Ekselencën, e cila prezantoi politikat dhe programet që fuqizojnë start-up-et, talentin e ri dhe transformimin dixhital të vendit.
Në panelin kryesor, u zhvillua një debat i gjallë mbi inovacionin ndërkufitar, investimet me ndikim social dhe ekonominë qarkulluese, me pjesëmarrjen e ekspertëve evropianë, përfshirë Michiel Scheffer, President i Bordit të Këshillit Evropian për Inovacion (EIC). Ai theksoi rëndësinë që më shumë sipërmarrës dhe kërkues nga Shqipëria të aplikojnë në programet e EIC-së, duke hapur horizonte të reja për bashkëpunim evropian.
Eventi u mbyll me një pritje rrjetëzimi, ku pjesëmarrësit – nga Brukseli në Tiranë – ndanë ide, kontakte dhe projekte që mund të formësojnë të ardhmen inovative dhe të qëndrueshme të rajonit.


