Nis Java Shqiptare në Sofje!
Ambasada e Shqipërisë në Sofje organizoi një pritje më datë 19 mars për misionet diplomatike/artistët/etj me rastin e shfaqjes së filmit shqiptar WaterDrop, një bashkëprodhim i Shqipërisë-Italisë-Kosovës-Rumanisë-Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sofje.
I ftuar nderi ishte regjisori Robert Budina.
Ambasadorja Milo në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi punën e jashtëzakonshme të regjisorit Robert Budina dhe të gjithë ekipit krijues që qëndron pas Waterdrop.
Na nderuan me pjesëmarrjen edhe Ambasadori i Kosovës në Sofje Z. Haxhi Bajraktari, e Ngarkuara me Punë a.i. e Ambasadës së SHBA-së në Sofje zj. Susan Falatko, përfaqësues nga Ambasada e Kroacisë dhe Ambasada e Turqisë në Sofje, Ambasada e Finlandës, Instituti Hungarez për Kulturë dhe shumë të ftuar të tjerë të shquar.
Me një skenar të bashkëshkruar nga Doruntina Basha, Robert Budina dhe Ajola Daja, filmi “Waterdrop/Pikë Uji” është një rrëfim tërheqës i mbështetur nga ekselenca artistike e producentëve Daniele de Cicco, Sabina Kodra, Carmen Rizac, Luan Kryeziu, Sasho Pavlovski dhe Daniele Segre.
Që nga premiera e tij në kinemanë Millennium në Tiranë dhe debutimi ndërkombëtar në Festivalin e Filmit në Varshavë, Waterdrop ka bërë për vete audiencën dhe kritikët.
Ai u zgjodh me të drejtë si kandidatura e Shqipërisë për filmin më të mirë ndërkombëtar, duke shënuar një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin kinematografik të vendit.
Ambasada Shqiptare në Sofje i uron suksese WaterDrop në Festivalin e 29-të Ndërkombëtar të Filmit në Sofje!