Ambasadorja Inid Milo zhvilloi një takim me Prof. Dr. Dimitar Dimitrov, Rektor i Universitetit të Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNWE), si dhe me Prof. Dr. Svetoslav Spasov, Drejtor i Qendrës për Mbështetjen e Sigurisë Bërthamore pranë universitetit.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet UNWE dhe institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.
Bashkëbiseduesit vlerësuan arsimin si një nga urat më të rëndësishme që lidh shoqëritë dhe popujt, duke nënvizuar gjithashtu trashëgiminë e përbashkët kulturore dhe historike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë.
U diskutua mbi zgjerimin e partneriteteve në kuadër të programit Erasmus+, forcimin e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet departamenteve universitare dhe grupeve kërkimore, si dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fusha si ekonomia, inovacioni, turizmi dhe kultura.
Prof. Dr. Svetoslav Spasov prezantoi aktivitetin e Qendrës për Mbështetjen e Sigurisë Bërthamore dhe programin Master në Siguri Bërthamore, i zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë që studentë dhe institucione shqiptare të përfitojnë nga programet e bursave dhe trajnimet ndërkombëtare në këtë fushë.
Takimi përfundoi me shprehjen e gatishmërisë reciproke për forcimin e kontakteve akademike dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme arsimore dhe shkencore ndërmjet institucioneve shqiptare dhe bullgare.


