Artisti bullgar Zlatin ORLOV në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Sofje prezantoi në 7 nëntor projektin ndërkombëtar “Shtyllat e Miqësisë” në Galerinë Dom_Concept_Space.
Qëllimi i veprës “Shtyllat e Miqësisë” është ndërtimi i skulpturave publike që do të vendosen në zonat qendrore të qyteteve të Ballkanit. Qyteti i parë i zgjedhur nga artisti është Tirana.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Milo theksoi se “Shtyllat e Miqësisë” është më shumë se një strukturë; është një deklaratë e përzemërt dhe një shprehje e përbashkët e shpresës, e krijuar për të lidhur zemrat dhe mendjet përtej kufijve. Kjo nismë ambicioze dhe kuptimplotë ka në qendër të saj forcën simbolike të popullit ballkanik, dhe shtyllat prej guri të punuara me kujdes, personifikojnë aspiratat tona të përbashkëta. Shqipëria është aktor kyc në bashkëpunimin rajonal.”
Në fjalën e tij përshëndetëse, artisti Zlatin Orlov, theksoi përgjegjësinë e arstistëve ndaj shoqërisë për të krijuar art, që ka potencialin dhe cilësitë e nevojshme për t’i bërë ballë kohës, si fizikisht ashtu edhe konceptualisht.
Skulptura është e përbërë nga nëntë blloqe guri 100/100/100 cm të vendosura njëri mbi tjetrin duke formuar një shtyllë 9 m të lartë me një seksion katror. Ka të gdhendur imazhe reliev dhe mbishkrime në bllokun e 2-të nga toka me mbishkrimin dygjuhësh “SHTYLLA E MIQËSISË”, reliev i dy duarve miqësore që takohen.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin personalitete artistike, Ambasadorët e Ballkanit Perëndimor, Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Greqisë, Kroacisë, Rumanisë dhe Turqisë që na nderuan me prezencën e tyre, si dhe përfaqësues nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë si dhe nga komuniteti shqiptar.