Bibliotekat
Qysh në shek. IV para erës së re ka dëshmi për bibliotekat në trojet ilire; qenë të përmendura biblioteka e Apolonisë dhe e Dyrrahut (shek. I p para erës së re), e Finiqit (shek. II–III). Gjatë Mesjetës bibliotekat vendosen pranë institucioneve fetare. Ato ruanin shkrime me vlerë, si kodikë e dorëshkrime të rralla. Në shekujt XIII–XVI përmenden bibliotekat e Gjirokastrës, Filatit dhe Himarës, më vonë ajo e Voskopojës, Vithkuqit, Selasforit (Zvezdës), ndërsa në mes të shekullit XVIII në Korçë ekzistonte një bibliotekë me 4000 vëllime.
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare bilbiotekat ngrihen pranë shoqërive e klubeve patriotike. Më 10.12.1922 u themelua Biblioteka Kombëtare dhe disa biblioteka në qytete si Shkodra, Korça, Elbasani etj. Biblioteka qendrore janë: Biblioteka Kombëtare, Biblioteka e Akademisë së Shkencave, Biblioteka e Universitetit Politeknik, Biblioteka e Institutit të Lartë Bujqësor në Tiranë etj.
Në Shqipëri ka 366 biblioteka publike e vendore, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: “Marin Barleti” në Shkodër me rreth 200.000 vëllime, “Thimi Mitko” në Korçë me rreth 160.000 vëllime, “Qemal Baholli” në Elbasan me rreth 170.000 vëllime. Biblioteka Kombëtare, si më e madhja në vend, ka mbi 1 milion vëllime.
Muzetë
Përpjekja e parë e njohur për ngritjen e një muzeu kombëtar në Shqipëri është ajo e Sotir Kolesë në vitin 1922. Në vitin 1948–1949 u hapën Muzeu Arkeologjik-Etnografik, Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe Muzeu i Luftës ANÇ; më 1951 Muzeu Arkeologjik në Durrës; më pas u ngritën disa muze kombëtarë të tipave të ndryshëm, si Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Skënderbeut në Krujë, Muzeu i Armëve në Gjirokastër, Muzeu i Arsimit dhe Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, Muzeu i Pavarësisë në Vlorë, Muzeu Arkeologjik dhe Ekspozita Etnografike në Tiranë, Muzeu i Rilindjes në Gjirokastër, muzetë në qendrat arkeologjike si Butrint, Apoloni.
U ngritën memoriale ose Shtëpi-Muze për figura dhe ngjarje të shquara (memoriali i Skënderbeut në Lezhë, muzeu i Vëllezërve Frashëri, i Migjenit, i Luigj Gurakuqit, i Hoxha Tahsinit, i Kongresit të Lushnjës, i Kongresit të Përmetit etj). Deri në vitin ‘90 në pjesën më të madhe të qyteteve dhe të fshatrave në Shqipëri funksiononte një rrjet i dendur muzesh të llojeve, natyrave dhe përmasave të ndryshme.
Monumentet e kulturës në Shqipëri janë dëshmi historike, kulturore e artistike, kryesisht ndërtime dhe vepra me vlera përfaqësuese kombëtare, që mbrohen nga shteti. Në vitin1948 u shpall zyrtarisht lista e parë e Muzeve Kombëtarë, kurse në vitin 1961 u vunë në mbrojtje qytetet-muze të Gjirokastrës dhe Beratit, nëntoka e Durrësit, Pazari i Vjetër i Krujës dhe më pas edhe qendrat historike në Tiranë, Vlorë, Korçë e Elbasan. Me mirëmbajtjen, restaurimin dhe studimin merret Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Kultura popullore
Etnokultura shqiptare si pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, është shprehje e aftësive krijuese të popullit në fushën e kulturës materiale e shpirtërore. Ajo shfaqet në llojet e ndryshme të prozës dhe të poezisë popullore, të muzikës, valleve e instrumenteve popullore, në veshjet e pajisjet e shtëpisë, në arkitekturën popullore.
Në folklorin gojor është i pasur dhe i larmishëm sipas krahinave dhe periudhave historike që përfaqëson. Këngët e epikës legjendare (Eposi i Kreshnikëve – në trevat veriore), këndohen të shoqëruara me lahutë; këngët historike, përfshijnë periudhat që nga koha e fillimit të luftërave shqiptaro-osmane deri në Luftën ANÇ dhe paraqiten më së shumti me përhapjeje vendore; këngët lirike janë të shumta e të larmishme në mbarë vendin; këngët popullore qytetare kanë tipare të dallueshme sipas qyteteve.
Në folklorin muzikor është karakteristike mënyra e të kënduarit në polifoni, pa shoqërim me vegla, në Shqipërinë e Jugut (tashmë polifonia shqiptare është përfshirë në listën e kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO), ndërsa në Veri këngët e “majekrahit” dhe këngët e shoqëruara me çifteli; muzika popullore qytetare dallohet për veçori lokale (ahengu shkodran), muzika e Shqipërisë së Mesme (Elbasan, Tiranë) dhe e Beratit, Korçës, Vlorës.
Kërcimi popullor është shumë i larmishëm. Vallet janë të gjalla, shpesh me lëvizje të forta; ato paraqiten me veçori sipas krahinave, gjinive e numrit të pjesëmarrësve. Në Shqipërinë e Veriut janë karakteristike vallja e logut (që kërcehet në heshtje) dhe vallja njëshe; në krahinat lindore dhe në Shqipërinë e Mesme kërcehen valle dyshe të burrave të shoqëruara me curle e lodër dhe valle të grave me dy a më shumë valltare që kërcejnë të shkëputura. Vallet në grup shtjellohen në varg të drejtë, në dy rreshta të kundruallta dhe sidomos në rreth të hapur apo të mbyllur; vallet në Shqipërinë e Jugut kanë shoqërim zanor polifonik, ku dallohet marrësi.
Në etnokulturën shqiptare janë karakteristike doket e zakonet me variacione të shumta sipas krahinave, por edhe me institute të përbashkëta morale, si: besa, mikpritja, nderi, burrëria. E drejta zakonore është një vlerë tjetër karakteristike e etnokulturës shqiptare.
Krijimtaria popullore zë mjaft vend në shfaqjet e skenës e në radiotelevizion. Ka shumë grupe amatore e shoqata kulturore krahinore me këngëtarë, valltarë e instrumentistë popullorë. Organizohen herë pas here festivale folklorike krahinore dhe që nga viti 1978 festivali kombëtar në Gjirokastër. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore është trupa profesioniste qendrore për interpretimin e tyre.
Pasuritë e Shqipërisë, që njihet dhe mbrohet nga UNESCO
Shqipëria ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe natyrore, që njihet dhe mbrohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Këto pasuri përfshijnë si trashëgiminë kulturore dhe natyrore materiale, ashtu edhe trashëgiminë kulturore jomateriale. Më poshtë paraqitet një përmbledhje e plotë e elementeve të regjistruara në listat përkatëse të Konventave Kulturore të UNESCO-s:
- Trashëgimia Kulturore Materiale
Shqipëria ka regjistruar katër pasuri në Listën e Trashëgimisë Botërore (krijuar në kuadër të Konventës së vitit 1972 për «Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore», ratifikuar ne 1989), si më poshtë, në rend kronologjik:
- Butrinti (1992), regjistruar si pasuri kulturore.
- Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës (2005, zgjeruar në 2008), regjistruar si pasuri kulturore.
- Pyjet e lashta dhe parësore të ahut në Karpate dhe rajone të tjera të Evropës (2017), regjistruar si pasuri natyrore dhe transnacionale, së bashku me 18 vende evropiane.
- Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit (2019), ku pjesa shqiptare është regjistruar si pasuri e përzier kulturore dhe natyrore, ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut.
- Trashëgimia Kulturore Jomateriale
Në kuadër të zbatimit të Konventës së vitit 2003 për «Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale», ratifikuar në 2006, Shqipëria ka regjistruar katër elemente në dy listat e krijuara nga Konventa.
Në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit janë përfshirë:
- Iso-polifonia popullore shqiptare (2008) ;
- Transhumanca: shtegtimi sezonal i bagëtive (2023), element transnacional, i regjistruar së bashku me 9 vende të tjera (Andora, Austria, Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Luksemburgu, Rumania, Spanja) ;
- Kërcimi i Tropojës (2024).
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që Kërkon Mbrojtje Urgjente është regjistruar:
- Xhubleta: aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit (2022).
Këto elemente pasqyrojnë diversitetin dhe pasurinë e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale shqiptare, duke kontribuar në identitetin kombëtar dhe duke ofruar një vlerë të çmuar për trashëgiminë botërore.
Programi i UNESCO-s “Kujtesa e Botes”
Programi “Kujtesa e Botës” synon të ruajë trashëgiminë dokumentare të njerëzimit dhe ta bëjë atë të aksesueshme për të gjithë, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e saj kulturore për mbarë njerëzimin. Në Regjistrin Ndërkombëtar të këtij programi, Shqipëria ka regjistruar në vitin 2005 “Kodikët e Purpurt të Beratit”, duke e mbrojtur kështu atë si një pasuri të çmuar për mbarë njerëzimin.
Materialet janë pjesë e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe subjekt i të drejtave të autorit, falenderojmë për kontributin Josif Papagjoni. © Copyright Akademia e Shkencave të Shqipërisë.