Në datën 7 Korrik 2025, Ambasada jonë zhvilloi aktivitetin e titulluar “Momente nga Shqipëria – Një Stinë për t’u Kujtuar”, gjatë të cilit u shfaq ekspozita e fotografit bullgar Nikolai Shabarkov, ku morën pjesë pjesëtarë të trupit diplomatik, zyrtarë të lartë të MPJ së Bullgarisë, diaspora shqiptare/Shoqata Mandriza, artistë, pjesëmarrës nga trupa akademike e Universitetit të Sofjes, etj.
Morën pjesë Ambasadorët e Danimarkës, Ukrainës, Argjentinës, Austrisë, Hungarisë, Sllovenisë, Cekisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Libisë, si dhe zëvendës ambasadorët e Kosovës, Greqisë, Izraelit. Palestinës, Indonezisë, etj.
Ambasadorja Inid Milo falenderoi pjesëmarrësit si dhe kryetaren e bashkisë Çuprene, znj. Todorova, dhe kryetarin i bashkisë Sredets/Sofje, z. Traykov, me rastin e hapjes së ekspozitës turistike “Momente nga Shqipëria – Një Stinë për t’u Kujtuar”, e cila u pasua nga një pritje me ushqime tradicionale shqiptare dhe promovim të kulinarisë sonë kombëtare.
“Ky vit ka qenë një lloj kulmi për turizmin shqiptar. Marsin e kaluar, Shqipëria zuri vendin qendror si Vendi Zyrtar Pritës në ITB Berlin 2025, duke u hapur me një festë të trashëgimisë sonë të gjallë: valle të njohura nga UNESCO, këngë malli dhe ritmet e një vendi që ka mësuar të nderojë si të kaluarën ashtu edhe të ardhmen e tij.”-theksoi Ambasadorja Milo në fjalën e hapjes.


