-Marrëdhëniet dypalëshe
Përmbledhje:
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë u vendosën në prill të vitit 1913 dhe më 10 tetor 1922, Konstadin Boshniak prezantoi Letrat Kredenciale si Kryetar i Legatës Shqiptare në Sofje. Në mars të vitit 1954, Shqipëria dhe Bullgaria i ngritën marëdhëniet e tyre të përfaqësimit diplomatik në nivelin e ambasadave. Nga fillimi i viteve ’60 e në vazhdim ambasadat e dy vendeve tona drejtoheshin nga të Ngarkuarit me Punë dhe më 25 janar 1988 u lidh një marrëveshje për shkëmbimin e ambasadorëve.
Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, kur të dy vendet u përfshinë në kampin komunist, marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur zhvillim në të gjitha fushat, zhvillim ky që ruhet dhe është avancuar edhe më tej në ditët e sotme.
Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Bullgari vlerësohen shumë të mira, me një bashkëpunim të shtrirë pothuaj në të gjitha fushat. Të bazuara në lidhjet historike, kulturore, njerëzore dhe ekonomike-tregtare, si dhe në shtratin e ri të integrimit euroatlantik, ato krijojnë mundësi shumë të mira për intensifikimin e tyre në të ardhmen, në linjën e vlerave evropiane dhe me impakt përmirësimin e vazhdueshëm të marredhënieve në rajon.
Bullgaria i ka dhënë mbështetjen e saj Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe vijon ta japë për hapat e mëtejshme të integrimit në BE. Ndërmjet dy vendeve ka patur në vijimësi shkëmbim vizitash politike të nivelit të lartë (President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Ministër i Jashtëm).
Viti 2024 shënoi festimin e 111 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërise dhe Bullgarisë. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve karakterizohen nga një miqësi dhe afërsi e veçantë, e bërë edhe më solide nga marrëdhëniet historike kulturore dhe nga anëtarësimi i tyre i përbashkët në NATO. Lidhur me bashkëpunimin në fushën e integrimit. Sofia zyrtare ka deklaruar vazhdimisht se Bullgaria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit, mbi bazën e meritave të secilit vend.
Objektivi i Përgjithshëm i punës së Ambasadës është Intensifikimi i marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë sidomos bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, energjisë, kulturës dhe integrimit europian.
Ndër aktivitetet më të rëndësishme të viteve 2023 – 2024 shënojmë:
Më 30 tetor 2023 në Akademinë bullgare të Shkencave u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunimin shkencor ndërmjet Akademisë bullgare të Shkencave dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kryetari i Akademisë bullgare të Shkencave, Akademiku Julian Revalski, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademiku Skënder Gjinushi, nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunimin shkencor mes dy akademive, e cila parashikon pjesëmarrjen e studiuesve në projekte dhe konferenca të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e shkencëtarëve. Delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë zhvilloi një vizitë katërditore në Sofje. Programi i shkencëtarëve përfshinte një takim me kryeministrin akademik Nikolai Denkov.
Më 13-15 dhjetor 2023, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të homologut bullgar, Presidentit Rumen Radev. Në fokus të vizitës ishin: marrëdhëniet dypalëshe, perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, situata e sigurisë në rajon dhe lufta në Ukrainë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasani në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih në prill 2024 u takua me Zv/Kryeministren dhe Ministren e Jashtme të Bullgarisë Maria Gabriel, të cilën e falenderoi për mbështetjen e Bullgarisë në rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
Zëvendësministrja znj Artemis Malo mori pjesë datë 8 Prill në edicionin e tretë të Konferencës “BE takohet me Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Forumi Liberal Evropian, Aleanca ALDE dhe Klubi i Atlantikut në Bullgari.
Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Besart Kadia, mori pjesë në edicionin e 2-të të Konferencës së Sigurisë së Detit të Zi të në kuadër të Platformës së Krimesë, datë 15 prill në Sofje, organizuar nga Ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes e Bullgarisë dhe Ukrainës.
Kryetari i Bashkisë të Tiranës z. Erjon Veliaj së bashku me ekipin e tij, zhvilloi një vizitë datë 9-10 Maj në Sofje, qëllimi i së cilës lidhej me promovimin e aktiviteteve që do të zhvillohen në Tiranë, e cila kete vit mban Presidencën e Rrjetit B40, si dhe me forcimin e bashkëpunimit midis qyteteve anëtare të rrjetit. Gjatë takimit me kryetarët e Bashkive të qyteteve bullgare si Belitsa, Burgas, Dimitrovgrad, Kardzhali, Karlovo, Karnobat, Plovdiv, Rakovski, Sliven, Sofia, Stara Zagora, Svilengrad, Troyan, Veliko Tarnovo etj, z. Veliaj u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit dhe solidaritetit të pushtetit lokal në rajonin e Ballkanit, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen dhe rolin e tyre aktiv, gjë që u evidentua edhe gjatë Samitit të Tiranës të B40, në janar 2024. në të cilin morën pjesë edhe shumë përfaqësues nga Bullgaria.
Më 14 nëntor 2024, Ambasada shqiptare në Sofje, organizoi Festën Kombëtare me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë, që përkoi me 80 vjetorin e Clirimit dhe me 111-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërisë dhe Bullgarisë. Morën pjesë zyrtarëve të lartë të shtetit dhe qeverisë bullgare, ndër to e pranishme ishte dhe ZëvendësMinistrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Elena Shekerletova, ambassadorë dhe pjesëtar të trupit diplomatik në Bullgari, bashkëqytetarë nga komuniteti shqiptaro-bullgar dhe diaspora shqiptare si dhe të ftuar të tjerë të shquar, miq të Shqipërisë.
Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, Bullgaria përfaqëson një treg të rëndësishëm për Shqipërinë në aspektin e investimeve. Bullgaria është konsideruar një partner tradicional ekonomik për Shqipërinë. Shqipëria dhe Bullgaria janë të angazhuara në mënyrë konkrete për të punuar për konkretizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Nënvizojmë faktin, se ndërmjet dy vendeve janë miratuar dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike që përbëjnë kuadrin e nevojshëm ligjor për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Ndërmjet dy vendeve ekziston një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh, rreth 30 të tilla, të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në fushat nga më të ndryshme më interes të ndërsjellë. Në Shqipëri ushtrojë aktivitetin e tyre një sërë kompanish bullgare, të cilat operojnë kryesisht në fushën energjitike, të furnizimit me materiale për ndërtimin e rrugëve; në fushën e ndërtimit të rrugëve; në fushën e krediteve; të prodhimit të lëngjeve, të furnizimit me cigare, etj.
Gjatë 2023, u synua promovimi i historikut të marrëdhenieve diplomatike bilaterale në planin historik dhe intensifikimin e tyre në planin rajonal e më gjerë. Më 16 maj 2023, në Tiranë u zhvilluan konsultimet diplomatike të cilat u shfrytëzuan si një mundësi shumë e mirë për të diskutuar bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh, bashkëpunimin rajonal, si dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është konkretizuar me mbërritjen e kontingjentit të katërt dytë të trupave shqiptare të Forcave të Armatosura, në Novo Selo. Kontigjenti i pestë i trupave të FARSH pritet të mbërrijë më dhjetor 2024. Pala bullgare ka vlerësuar vendimin e Shqipërisë për të marrë pjesë në grupin e luftimit. Kjo u bë e qartë gjatë vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës Begaj më 13-15 dhjetor 2023, ku homologu bullgar, Presidenti Rumen Radev përshëndeti vendimin e Shqipërisë dhe pohoi se vendet tona nuk janë vetëm aleatë, por edhe miq tradicionalë, që bashkëpunojnë në fusha të ndryshme.
-Bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës
Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, që ka njohur zhvillim dekadat e fundit, është arsimi, organizimi i kurseve verore për gjuhët përkatëse, shkëmbime studentësh dhe pedagogësh ndërmjet universiteteve të të dy vendeve, shkenca, kultura, artet, shëndetësia, turizmi, bashkëpunimi në fushën e arkivave të filmit, bibliotekave, trashëgimisë kulturore, etj.
-Diaspora shqiptare
Si urë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh kanë shërbyer edhe marrëdhëniet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve. Përmendim këtu faktin, se në fund të shekullit 19 – fillimi i shekullit 20, kryeqyteti i Bullgarisë, Sofja, ka shërbyer si “vatra” ku mblidheshin patriotët shqiptarë dhe ku është është kryer një veprimtari shumë e pasur për çështjen kombëtare shqiptare. Ndër to veçojmë: organizimin e parë të diasporës shqiptare përmes shoqërisë kulturore-arsimore “Dëshira”, e cila u themelua në vitin 1886; hapjen në vitin 1897 të shtypshkronjës “Mbrodhësia”; në Bullgari kanë qëndruar shumë figuara të shquara shqiptarësh, si Ismail Qemali e Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi e Themistokli Gërmenji, Thimi Mitko, Pandeli Cale e Mit’hat Frashëri, por edhe shumë të tjerë.