Ambasadorja Inid Milo dhe Këshilltarja Sonila Turshilla së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës Haxhi Bajraktari dhe Zëvendës Ambasadorin Bujar Deskaj vizituan fshatin #Mandricë më 21-22 maj 2025.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të ruajtjes së rrënjëve kombëtare shqiptare në Bullgari.
Mandrica është një nga dëshmitë më prekëse të qëndrueshmërisë së identitetit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë.
E themeluar në vitin 1636 nga shqiptarë kryesisht nga rajoni i Korçës, Mandrica është një thesar i gjallë i trashëgimisë sonë kulturore, duke dëshmuar shpërndarjen, mbijetesën dhe përkushtimin e shqiptarëve ndaj origjinës së tyre.
Ecëm nëpër rrugët e ngushta të Mandricës, vizituam shtëpitë e saj të vjetra prej guri dhe dëgjuam historitë e hershme të treguara nga Gjyshe Sulltana, Katja, Kristo dhe të tjerë, të cilat ende pasqyrojnë gjuhën shqipe përmes kujtimeve të të moshuarve, të cilët e ruajtën gjuhën, këngët tradicionale dhe zakonet shqiptare të transmetuara brez pas brezi.
Në qytetin e Ivaylovgradit, pjesë e të cilit është edhe Mandrica, u mirëpritëm me dashuri nga Kryetarja e Bashkisë, znj. Ovcharova dhe ekipi i saj tepër i përkushtuar.
Ambasadorja Milo, duke vlerësuar Kryetaren e Bashkisë Ovcharova për kontributin e saj në promovimin e atraksioneve të rajonit, siç është Mandrica, – fshati i shqiptarëve,- nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së Mandricës dhe të gjuhës shqipe, e cila ende flitet nga banorët, e ngjashme me gjuhën arbëreshe në Itali, duke demonstruar format më arkaike të gjuhës shqipe.
Vizita vijoi në Eko-kompleksin e quajtur “Bukor Shtepi” – Një shtëpi e bukur- një investim i Ivaylo Petrov, një nga themeluesit e Shoqatës Mandritza.
Tani fshati ka më pak se 70 banorë të përhershëm, shumica prej tyre gra të moshuara.
Takuam edhe Gjyshe Norën në kishën e Shën Elenës dhe Kostandinit, të ndërtuar vetëm në 7 ditë në vitin 1806. Koha është ndalur në këtë kishë me ikona të ngjashme si në Vithkuq.
Takimi me Katja Ilievën në shtëpinë e saj të ndërtuar në vitin 1890, me “qerpic”, me oxhak druri, ku ajo na uron mirëseardhje duke thënë: “Flitni gluhën tonë dhe të vatmë e të pamë fshanë”.
Gjithashtu vizituam #VilënAlmira. Vila Armira/Вила “Армира”), një vilë romake periferike e shekullit të 1-rë, e vendosur në afërsi të Ivaylovgradit.
Gjuha shqipe për katër shekuj është e paharruar në Mandricë dhe ende flitet kaq bukur nga gjyshe Sulltana, e cila është “enciklopedia” e Mandricës, për memorien e jashtëzakonshme në moshën 92 vjeçare.
Mezi presim të sjellim më shumë turistë në Mandricë, veçanërisht nga Korça, pasi shqiptarët e parë që erdhën në Mandricë, ishin pikërisht nga ky rajon.
Newsroom
Vizitë në Mandricë