Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme znj. Megi Fino mori pjesë në Forumin “BE takon Ballkanin” të mbajtur në Sofje, më 17 prill 2025.
Forumi i organizuar nga Forumi Liberal Evropian, Partia ALDE dhe Klubi Atlantik i Bullgarisë, u fokusua tek forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të përshpejtuar evropian.
Forumi “BE takon Ballkanin” është një platformë e rëndësishme për dialogun strategjik midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit, duke përfshirë ministrat e jashtëm, politikëbërësit, sipërmarrësit dhe mediat.
Znj. Fino nënvizoi se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE, ndërkohë që hapja e Grup-Kapitujve 2 këtë javë është dëshmi e qartë e këtij angazhimi.
Forumi u hap nga Europarlamentari Z. Kyuchyuk, Kryetari i Bashkisë së Sofjes Vassil Terziev, Presidenti i Klubit Atlantik të Bullgarisë Solomon Passy, Presidenti i Forumit Liberal Evropian, eurodeputeti Jan-Christoph Oetjen etj.
Në forum përshëndeti edhe Zëvendëspresidentja e Bullgarisë Iliana Iotova dhe Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos.