Për herë të parë, në Ontario u realizua Panairi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze, një ngjarje e organizuar nga bordi i Rrjetit të Bizneseve dhe ideuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ky event ofroi një mundësi të shkëlqyer për bizneset shqiptare në Kanada për të ekspozuar produktet e tyre dhe për të krijuar mundësi bashkëpunimi, duke rritur rrjetin e bizneseve mes dy vendeve.
Qëllimi kryesor i këtij panairi ishte promovimi dhe zgjerimi i rrjetit të subjekteve tregtare, duke forcuar lidhjet dhe mundësitë e bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe atyre kanadeze. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të prezantonin produkte të Shqipërisë dhe të komunitetit shqiptar në diasporë, duke shpalosur me dinjitet vlerat dhe cilësitë kombëtare shqiptare.
Ky aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për të frymëzuar krenari dhe angazhim profesional në këtë pjesë të botës dhe për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.
Panairi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze shërben si një model për të vazhduar traditën e bashkëpunimit dhe ekspozimit të produkteve shqiptare, duke u shndërruar në një mundësi për të krijuar një traditë të përvitshme për komunitetin shqiptar në Kanada.



