Më 8 dhjetor 2025 u zhvillua ceremonia zyrtare e përurimit të Dhomës së Tregtisë Shqipëri–Kanada, një nismë e re dhe e rëndësishme që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë znj. Artemis Malo, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Kanada, si dhe z. Adriatik Kryeziu, Ambasador i Republikës së Kosovës, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për këtë nismë dhe për rolin që pritet të luajë në nxitjen e partneriteteve të reja ekonomike.
Aktiviteti mblodhi dhjetëra përfaqësues të bizneseve shqiptaro-kanadeze, anëtarë të trupit diplomatik, përfaqësues të komunitetit, si dhe figura të jetës publike dhe politike kanadeze, duke shënuar një moment të rëndësishëm në konsolidimin e prezencës ekonomike shqiptare në Kanada.
Gjatë ceremonisë, u njoftua zgjedhja e z. Arian Sultafaj në detyrën e Presidentit të Përkohshëm të Dhomës së Tregtisë, i cili përshëndeti të pranishmit me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një platforme të re bashkëpunimi për bizneset shqiptare dhe mundësitë që kjo strukturë do të ofrojë në të ardhmen.
Dhoma e Tregtisë Shqipëri–Kanada synon nxitjen e bashkëpunimeve të qëndrueshme, krijimin e partneriteteve që fuqizojnë komunitetin shqiptaro-kanadez dhe zhvillimin e mundësive të reja për bizneset dhe profesionistët shqiptarë në Kanada.



