Më 12 dhjetor 2025, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kanadasë në fushën e transportit ajror.
Marrëveshja u nënshkrua nga Sh.S.Znj. Artemis Malo, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Kanada, dhe znj. Sarah Phillips, Kryenegociatore në detyrë e Qeverisë së Kanadasë për bashkëpunimin në fushën e transportit ajror.
Kjo marrëveshje krijon kuadrin ligjor dhe institucional për vendosjen dhe operimin e linjave ajrore direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.
Nënshkrimi i saj shënon përmbylljen e një procesi të gjatë konsultimesh dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet dy qeverive dhe pritet të kontribuojë ndjeshëm në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, mbështetjen e diasporës shqiptare në Kanada, si dhe në nxitjen e shkëmbimeve turistike, akademike dhe kulturore.



