Një takim i shumëpritur u zhvillua me Eric Skender Margolis, personalitet i shquar i gazetarisë dhe analizës ndërkombëtare, me origjinë shqiptare.
Ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë të zhvillonim një bisedë të gjatë mbi Shqipërinë, rrugëtimin historik të shqiptarëve ndër vite, si dhe mbi zhvillimet aktuale në arenën ndërkombëtare. Një jetë e pasur me histori, kontribute të vyera dhe përvoja të jashtëzakonshme, përfshirë kujtimet e çmuara nga e ndjera Nexhmije Zaimi, nëna e tij, figurë e respektuar e gazetarisë, e cila la gjurmë të rëndësishme në dokumentimin e çështjeve ndërkombëtare gjatë viteve ’50.
Z. Margolis ka punuar si kolumnist ndërkombëtar në media prestigjioze si The New York Times, International Herald Tribune, Los Angeles Times, The Times, Gulf Times dhe Khaleej Times. Si ekspert i çështjeve ndërkombëtare, ai ka kontribuar me analiza për rrjete si CNN, BBC, France 2, France 24, Fox News, CTV Television Network dhe CBC Television.
Në cilësinë e korrespondentit të luftës, ai ka mbuluar konflikte në Angola, Namibi, Afrikën e Jugut, Mozambik, Sinai, Afganistan, Kashmir, Indi, Pakistan, El Salvador dhe Nikaragua. Gjithashtu, Eric Skender Margolis ka qenë ish-pronar dhe kryetar i kompanisë kanadeze Jamieson Laboratories.
Gjatë takimit, u shkëmbyen ide mbi projekte të mundshme bashkëpunimi, si dhe u shpreh dëshira e tij për të rivizituar Shqipërinë gjatë verës së këtij viti.
Një figurë publike kaq dinjitoze, me kontribute të vyera në gazetari dhe analizë ndërkombëtare, përbën një burim krenarie për komunitetin shqiptar.



