Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, zhvilloi një takim me z. Fatos Prishtina, biznesmen i suksesshëm dhe pronar i Cheese Boutique në Toronto.
Z. Prishtina, i cili emigroi nga Kosova në Turqi gjatë viteve të studimit dhe sot jeton në Kanada me familjen e tij të gjerë, ka ruajtur me krenari identitetin dhe rrënjët shqiptare. Ai ka mbajtur gjithmonë të gjallë lidhjen me kulturën shqiptare, gjë që reflektohet edhe në emrat shqiptarë të familjes së tij.
Gjatë takimit, z. Prishtina i dhuroi Ambasadës së Shqipërisë një pikturë të artistit shqiptar Roland Papa, e cila ishte porositur shumë vite më parë nga i ati i tij, Hysen Prishtina, Kryebashkiaku i parë i Prishtinës.
Ambasada e Shqipërisë shpreh mirënjohjen për këtë gjest domethënës dhe për mbështetjen e vazhdueshme të z. Prishtina në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.



