Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada pati kënaqësinë të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni Artisté dhe kryetarja e tij Arta Rexhepi, nën kujdesin e deputetit Kyle Seeback, me rastin e përkujtimit të ardhjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada.
Kjo mbrëmje e veçantë, e mbajtur në ambientet e Parlamenti i Kanadasë, shërbeu për të nderuar 25 përfaqësues të spikatur të komunitetit shqiptar në Kanada, të cilët, përtej historive të tyre të suksesit, janë shndërruar në ura lidhëse në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kanadasë.
Në këtë mbrëmje morën pjesë edhe artistët Xhemi Agaj, grupi i valleve “Vatra” nga Windsor, grupi polifonik i Shoqatës Atdhetare “Labëria” Toronto, Tringa Rexhepi, Kristian Gusho dhe Eriola Gusho, Klea Cani, Altin Bulo dhe Albjon Gjorllaku, të cilët sollën, në ambientet e Parlamentit kanadez, elementë të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore shqiptare.
Kjo mbrëmje përbën një moment reflektimi jo vetëm mbi sfidat e së kaluarës, por edhe mbi rrënjët, identitetin dhe kontributin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptar në Kanada.



